Prokuroria greke duket se pranon që vdekja e shqiptarit Pëllumb Marnikollaj nuk ka ardhur nga vetëhedhja e tij nga kati i tretë i Komisariatit grek, por është vrasje. Organi grek i akuzës heton për krim duke ndryshuar aktakuzën nga vetëvrasje në vrasje. Ajo ia ka rikthyer dosjen edhe një herë për hetim Policisë greke. Familjarët e Marnikollajt kanë dyshuar dhe deklaruar se vdekja e tij ka ardhur si pasojë e dhunës nga Policia greke.
Ekspertiza greke: Marknikollaj me kafkë të thyer, organe gjenitale të nxira
Del ekspertiza e dytë mbi emigrantin Pëllumb Marnikollaj, i cili humbi jetën në rrethana ende mister, në Komisariatin e Policisë në Athinë më 3 gusht të këtij viti. Bëhet fjalë për aktin e ekspertizës të kryer nga mjekët grekë, të cilët, ashtu si dhe ata shqiptarë, konfirmojnë shenjat e dhunës në trupin e 28- vjeçarit.
Sipas avokates Mimoza Caca, e cila po ndjek rastin në Greqi, ekspertët konfirmojnë se viktima ka shembje të trurit dhe hematoma të shumta.
Të njëjtin fakt nxori edhe ekspertiza e mjekëve të Tiranës, të cilët shtuan edhe se në trupin e Marnikollajt ishin shuar cigare të ndezura. Por, në të dyja rastet nuk konfirmohet nëse shkaku i vdekjes kanë qenë torturat në rajon apo rrëzimi nga lartësia, siç deklaron policia greke.
Pëllumb Marnikollaj gjeti vdekjen më 3 gusht në rajonin e Policisë të Patisias në Athinë, ku ishte paraqitur si zakonisht për të dhënë firmën, pasi kishte një urdhër detyrim paraqitjeje një herë në muaj lëshuar nga Gjykata e Athinës.
Çështja tashmë i ka kaluar Prokurorisë dhe po ndiqet edhe nga avokatët Thanasis Kambajanis dhe Mimoza Caca. Për “News 24” dha një intervistë avokatja Mimoza Caca, e cila tregon për dhunën e konstatuar në trupin e viktimës.
Znj. Caca, e morët ekspertizën e 28-vjeçarit Marnikollaj?
Po, më në fund e morëm ekspertizën e shumëpritur. Po e prisnim me padurim, jo vetëm për faktin që ne dispononim fotot në të cilat dukeshin qartë shenjat e dëmtimet në trupin e viktimës, por edhe për vetë faktin se hetuesi i policisë që kishte përpiluar dosjen, na kishte thënë më parë se nuk kishte shenja në trup. Por ekspertiza, ashtu siç edhe e prisnim, vërtetoi pretendimin tonë se kishte shenja të shumta deri edhe thyerje të ndryshme. Por, nga ana tjetër, nuk jep vlerësimin se nga janë shkaktuar dëmtimet, vetëm sa i referohet informacionit të policisë se ka rënë nga lartësia.
Kur ishte kryer ekspertiza dhe kur doli konkluzioni nga institucioni i mjekësisë ligjore?
Ekspertiza (autopsia) ishte kryer më 9 gusht në një nga Varrezat e Athinës nga mjekja ligjore Kristina Cakona dhe përfundimi doli më 20 shtator, të cilën ne e morëm këto ditë pas këmbënguljes sonë pranë prokurorit, i cili urdhëroi që të na jepej një kopje e saj.
Sipas ekspertizës, nga i kishte ardhur vdekja dhe çfarë shenjash ishin konstatuar në trupin e viktimës, dhe a kishte thyerje veç dëmtimeve të tjera?
Sipas ekspertizës mjekoligjore, që tashmë e kemi në dorë, konstatohen shumë shenja në pjesë të ndryshme të trupit. Por ajo fatalja që i ka shkaktuar vdekjen thuhet se ishte shembja e trurit. Sipas ekspertizës, ai kishte dëmtime në kokë, thyerje të kafkës në anën e djathtë, ku konstatoheshin 6 të qepura, shenja në shpatullën dhe supin e majtë, nxirje të syrit të majtë mbi dhe poshtë qerpikut, kishte një dërrmishje në të dy parakrahët. Shenjat që kishte te muskujt e krahëve, i kishte nga brenda apo nga jashtë? Ajo na vë në dyshim edhe ne, se shenjat ishin nga brenda dhe duket pak e çuditshme që t’i jenë shkaktuar nga rënia. Megjithatë, ne nga ana jonë po i studiojmë me ekspertë dhe specialistë të fushës.
Kishte shenja të tjera, veç këtyre që përmendët?
Po kishte rrjepje të lëkurës në pjesën e shpinës në një masë njëra 4-7 cm dhe tjetra 2- 4, kishte shenja të nxira në pjesën e barkut, por ajo që binte në sy më shumë ishte shembja dhe hemorragjia e veshkave, si dhe organet gjenitale, ku konstatohej se ishin shumë të nxira. Gjithashtu kishte shembje dhe thyerje në kofshën e majtë dhe një dëmtim në anën e brendshme të gishtit tregues dhe atij të mesit.
Deri ku kanë shkuar hetimet?
Çështja ndodhet ende në hetim, dosja po ju informoj se sot shkoi në Prokurori. Para ca kohësh i ishte rikthyer policisë për plotësimin e saj dhe pritjen e ekspertizës mjekoligjore. Ne si avokatë po grumbullojmë provat tona, po konsultohemi me specialistë të fushës në lidhje me ekspertizën dhe fotot që ne disponojmë. Presim që edhe prokuroria të bëjë hetimet e veta dhe kemi besim se e vërteta do të zbardhet. Siç ju thashë dhe më parë, dosja i ka kaluar Prokurorisë, ne si avokatë po sot bëmë denoncimin tonë dhe pritet babai i viktimës, Nikoll Marnikollaj, që të vijë dhe të dëshmojë.
Ka zëra se po përpiqen për ta manipuluar çështjen, madje bëhet fjalë edhe për shtetin shqiptar?
Çdo gjë mund të pritet, po nuk besoj, pasi ne po e ndjekim me përkushtim dhe profesionalizëm çështjen. Këto ditë patëm një takim edhe me ministrin e Drejtësisë së Shqipërisë, zotin Ylli Manjani, i cili na bëri me dije për takimet me homologun e tij grek dhe Avokatin e Popullit të Greqisë, të cilët i kishin premtuar se çështja do të hetohet dhe gjykohet me prioritet dhe pa anësi, nuk do të ketë manipulim.
ma.me