Mikel Hasanbelli, 36 vjeç, i dënuar për prostitucion, Ilir Pere, 40 vjeç, i dënuar për tentativë vrasje, dhe Tesi Basho, 36 vjeç, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje; janë tre shqiptarët që u arratisën në mënyrë spektakolare mbrëmjen e djeshme nga burgu i Romës. Duke përfituar nga kaosi i krijuar dhe paniku që shkaktuan dy tërmetet e fuqishme që goditën mbrëmjen e djeshme qendrën e Italisë, të pasuara nga disa lëkundje më të lehta, ata u hodhën nga dritaret e burgut të Rebibbias në provincën e Lacios, duke i përdorur çarçafët si litarë.
Mediat italiane e cilësuan spektakolare arratisjen e shqiptarëve, të cilët përdorën çarçafë për të dalë prej aty. Mungesa e tre shqiptarëve ishte vërejtur mëngjesin e sotëm rreth orës 06:00-06:30. Mësohet se në departamentin G9 të burgut, ku ishin vendosur shqiptarët, dy të dënuar për vrasje, një për prostitucion, kishte të dënuar kryesisht për krime të ashtuquajtura “parandaluese”, kryesisht persona të akuzuar për dhunë seksuale apo ish-pjesëtarë të forcave të rendit për shkelje të ndryshme, që mbaheshin të ndarë nga njëri-tjetri. Lidhur me këtë fakt kanë nisur hetimet për autoritetet e burgut, ndërsa vijojnë kërkimet për kapjen e tyre.
ma.me