PD ka dorëzuar në kuvend këtë të mërkurë një kërkesë për mbledhjen urgjente të Konferencës së Kryetarëve me argumentin se dy seanca dëgjimore në komisionet parlamentare, atë të Shëndetësisë dhe Medias, janë bllokuar nga maxhoranca.
“Komisioni i Shëndetësisë dhe Komisioni i Mediave dhe Edukimit u penguan sot nga deputetët e maxhorancës për të zhvilluar dy seanca dëgjimore, përkatësisht me gazetaren Alida Tota mbi censurën në media duke i kushtuar asaj largimin nga detyra si drejtore Informacioni pranë një televizioni si dhe seanca dëgjimore me ministrin e Shëndetësisë.
Grupi Parlamentar i PD kërkon marrjen e masave nga Kuvendi për cënimin e së drejtës kushtetuese të opozitës dhe Komisioneve Parlamentare në përmbushjen e detyrës së tyre. Pengimi i qëllimshëm i realizimit të seancave dëgjimore në Komisionet Parlamentare është një precedent i rrezikshëm kundër demokracisë parlamentare në Shqipëri ndaj Partia Demokratike do të kërkojë në Konferencën e Kryetarëve që ky veprim të mos përsëritet në të ardhmen”, thuhet në reagimin e PD-së./java/a.k