Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se SHBA-ja është e zhgënjyer thellë me moskalimin e amendamenteve që hapnin rrugën e themelimit të Gjykatës Speciale. Ajo ka bërë të qartë se kjo çfarë ka dëshmuar të premten Kuvendi i Kosovës është një pengesë për aspiratat euroatlantike të Kosovës. Jacobson bën sërish të ditur se Qeveria amerikane nuk do t’i bllokojë përpjekjet e vendeve që nuk e njohin Kosovën që të themelojnë Tribunalin në OKB në mungesë të themelimit të saj me lejen e Kuvendit të Kosovës.
“Ne jemi të zhgënjyer thellë nga rezultati i votimit të sotëm në Kuvend. Rezultati është një pengesë për aspiratat euroatlantike të Kosovës. Siç e kemi theksuar më parë, në mungesë të themelimit të Gjykatës Speciale, Qeveria e SHBA-së nuk do t’i bllokojë më përpjekjet e anëtarëve që s’e njohin Kosovën që të themelojnë Tribunalin në OKB”, ka thënë ambasadorja Jacobson për “Zërin”. SHBA-të nuk janë të vetme që ndajnë këtë qëndrim me Kosovën. Edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell, tha për “Zërin” se Kosova ka dështuar t’i dëshmojë botës së është e gatshme t’i zbatojë obligimet e saj ndërkombëtare.
“Ky ka qenë një rast i Kosovës që ta dëshmojë gatishmëri për t’i zbatuar obligimet e saj ndërkombëtare e që fatkeqësisht dështimi ka vënë në pikëpyetje aftësinë e Kosovës”, ka thënë O’Connell. I zhgënjyer në ligjvënësit e Kosovës, ky ambasador ka thënë se “Kosova është dashur t’i tregojë botës së nuk lejon mosndëshkimin, por e bëri të kundërtën”. Ai tha se Gjykata Speciale do të merret me individë dhe jo me Kosovë, “por kur Kosova refuzon që të tregojë gatishmëri për drejtësi, atëherë kjo bëhet problem për Kosovën dhe imazhin e saj”.
Ndërkohë për “Zërin” ka dhënë deklaratë edhe ambasadori i Norvegjisë, Jan Braathu. Ai tha se partnerët ndërkombëtarë nuk arritën që t’i bindin ligjvënësit se kjo Gjykatë nuk është kundër sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës, përkundrazi përforcon shtetin e saj. Braathu tha se mbështetësit e Kosovës janë te zhgënjyer me këtë veprim.
“Moskalimi i Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës është zhgënjyese. Kjo Gjykatë nuk është kundër pavarësisë së Kosovës, përkundrazi e përforcon atë. Por, ndodhi e kundërta”, ka thënë ambasadori Braathu.
Gjatë ditës së premte në hollin e Kuvendit të Kosovës është parë edhe ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, duke debatuar me deputetë rreth rëndësisë së kalimit të amendamenteve që i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.
Qëndrim pak a shumë të njëjtë ka ndarë edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar. “Kuvendi i Kosovës mori një vendim dhe është përgjegjësi e tyre. Ata morën atë vendim dhe do ta respektoj, por duhet të them se jemi shumë të zhgënjyer me vendimin”, është shprehur Zhbogar. Ndërsa i pyetur nga gazetarët nëse do të merret Këshilli i Sigurimit i OKB-së me këtë çështje, ai ka thënë se mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë. “Do të shohim se çfarë do të ndodhë pastaj, nuk e di. Kjo është ajo çka them, nuk e di se çfarë do të ndodhë tutje. Nuk ka më hapa nga Qeveria e Kosovës. Mendoj që Kuvendi mori një hap që të mos merret me këtë çështje, kjo është e tëra”, ka deklaruar Zhbogar pas përfundimit të seancës. Në ditët në vazhdim priten reagime edhe nga zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë me seli në Bruksel dhe liderë të tjerë të shteteve të BE-së.