Nga Skënder Minxhozi/
Në 21 qershor nuk u verifikua ndëshkimi i shumëpërfolur i qeverisë me votë popullore. Koalicioni i majtë e arriti sërish numrin simbolik të një milion votave në këshillat bashkiake, si për t’ja bërë edhe më therëse humbjen opozitës së djathtë. Nga 61 bashki që u hodhën në votë të dielën, shumica do të drejtojë 45 prej tyre.
Këto shifra flasin vetë, nuk kanë nevojë për interpretime dhe analiza. Një mesazh megjithatë doli i fortë dhe i qartë: reformat e ashpra nuk e penalizojnë gjithmonë qeverinë që i ndërmerr. Mbledhja masive e faturave të papaguara të energjisë, shembjet e mijëra ndërtimeve pa leje nga Veriu në Jug, rrafshimi i plantacioneve të drogës në Lazarat dhe Veri të vendit, apo mbyllja e një numri jo të vogël universitetesh private, ku mësonin mijëra studentë – të gjitha këto nuk u kthyen në bumerangun fatal për Edi Ramën në 21 qershor. Përkundrazi, qeveria ka pasur një humbje fiziologjike votash, po aq sa ç’është e drejtë të thuhet se opozita thuajse nuk lëvizi vendit. Kjo e fundit dështoi të fitojë Durrësin dhe humbi Tiranën, duke mos llogaritur se fitoret në qytete të vogla, u pasuan nga po aq humbje në të tjera qendra të vogla urbane.
Mesazhi i këtyre zgjedhjeve do të dëgjohet me shumë gjasë edhe në kryeqendrën e Shqipërisë, Tiranë. Aty ku vota e kryeqytetasve rrëzoi në mënyrë të qartë katërvjeçarin e qeverisjes së Lulzim Bashës, më shumë sesa fushatën e moderuar e të qetë të Doktor Kosovës. Mesazhi i 21 qershorit për pasardhësin e Bashës, Erion Veliajn, duket gjithashtu i qartë si drita e diellit: shtrirja edhe në hapësirën e 24 njësive të reja të bashkisë Tiranë, të të njëjtës linjë drejtimi, me atë të qeverisë qëndrore. Nuk ka nevojë që me këtë përcaktim të ndërtohen paralelizma ironike, sipas të cilave Veliaj do të jetë një “asistent” i Ramës në bashki, siç është dëgjuar të thuhet shpesh këto javë. Veliaj nuk ka nevojë të kopjojë Ramën. Tirana e sotme nuk është më ajo që drejtoi dikur Edi Rama. Konfigurimi i ri i saj, me rreth 25 herë më shumë hapësirë se bashkia e vjetër, bën që ndaj këtij realiteti të ri dhe kompleks, kryebashkiaku i ri të ndërmarrë një valë punësh, duke përdorur dorën e fortë dhe vendimmarrjen e qartë.
A do të ndalen ndërtimet që nisën të mbijnë në kryeqytet dy vjetët e fundit? A do të pastrohen rrugët, a do të zgjidhet disi nyja gordiane e trafikut, a do të vihet rregull dhe rend në trotuaret, tregjet, rrugicat e brendshme, a do të ndalen shtesat dhe cepat që shfaqen çdo ditë nëpër trupin e pallateve e ndërtesave të qytetit? Më tej, a do të kryhet integrimi i natyrshëm i qytetit me rrethinat që tashmë i përkasin bashkisë së re? A do të disiplinohet kurora e ndërtimeve pa leje që ka rrethuar kryeqytetin në 20 vjetët e fundit? A do paguhen taksat bashkiake, në një mënyrë që të mos ketë nevojë të rritet presioni fiskal mbi banorët dhe bizneset?
Erion Veliaj ka një timon të rëndë në duar. Por ka nga pas edhe votat e duhura për ta drejtuar atë. Shumica e kualifikuar në Këshillin Bashkiak është garancia e parë për ta bërë këtë. Por në thelb të mandatit të Veliajt duhet të qëndrojë i njëjti koncept i drejtimit të punëve, pa u merakosur shumë se cilat janë politikat “popullore” dhe cilat reformat “antipopullore”. Tirana kërkon dorë të fortë, pas një vakumi katërvjeçar, që Erion Veliaj më i pari, e ka kritikuar aq e aq herë.