Ky objekt simbolik dhe ky kryq me një liber janë vendosur në vendin ku lindi At Gjergj Fishta, i cilësuar si Homeri i letërsisë shqiptare. Pak kush e njeh sot këtë vend, që dikur ka qenë shtëpia e Fishtës, pasi vëmendja është fokusuar tjetërkund, në një banesë ku Fishta ka jetuar një pjesë të jetës së tij, e cila sot ka pronarët e saj legjitim, të cilët në vitin 2012 kanë kundërshtuar një projekt për restaurimin e saj.
Por si është e vërteta e shtëpive të Fishtës
Për shtëpinë e At Gjergj Fishtës ka dy shpallje si Monument Kulture i Kategorisë së Parë.
Shpallja e parë është bërë në vitin 1991, me vendimin nr.4 dt.07.05.1991 nga Komiteti i Kulturës dhe Arteve dhe i përket shtëpisë ku ka lindur poeti, e cila ka ekzistuar deri në vitin 1994 kur është shkatërruar nga banorët e zonës.
Në këtë vend, vitin e kaluar nga ana e DRKK Shkodër janë bërë gërmime dhe janë gjetur fragmente të themeleve. Sot ajo zonë është e rrethuar me rrjetë, ku është vendosur një kryq dhe një libër simbolik.
Ndërsa me urdhërin nr.702 dt.05.06.2008 të Ministrit të Kulturës është shpallur si monument kulture edhe një shtëpi tjetër, ku ka banuar poeti, në fshatin Fishtë për disa vjet.
Për këtë objekt në vitin 2012 është hartuar një projekt, madje ka patur edhe një fond për restaurimin e saj por që është kundërshtuar nga pronarët.
Sot kjo banesë është mjaft e dëmtuar pasi pronarët, të cilët nuk banojne në të e kanë kthyer për përdorime të tjera.
Në një intervistë të vitit 2015, zv. ministri i Kulturës, Zef Çuni sqaronte: “Kjo shtëpi në vitin 2012 ka pasur një projekt restaurimi dhe është dhënë një fond por që pronarët kanë kundërshtuar restaurimin e saj, duke pretenduar që t’u jepen tre shtëpi të reja. Kërkesa e këtyre pronarëve është bërë në drejtorinë rajonale dhe më pas kanë njoftuar dhe Ministrinë. Shteti nuk është pronar i të gjithë shtëpive, por shtëpitë që kanë pronarë ka një ligj që përcakton që 60% e paguan shteti dhe 40% e paguan pronari për restaurim por në rastin në fjalë të gjithë shumën do ta paguante shteti”, duke vijuar më tej me shpjegimin ligjor se “Trashëgimtarët e Fishtës nuk kanë as dokumente pronësie kështu që edhe për të krijuar një punim aty, duhet të kesh një dokument pronësie dhe unë personalisht kisha ngarkuar sektorin e Lezhës që ti ndihmonte në hipotekë që të merrnin tapinë dhe nuk e kanë nxjerrë edhe sot e kësaj dite”./a.m.