Dy javë më parë, deklaratat e kyeministrit Edi Rama në Beograd do të sillnin jo pak reagim nga ana e Prishtinës zyrtare, nga vetë Presidenti Thaçi si dhe nga Ministri i Jashtëm Hoxhaj. Raporti mes Kosovës dhe Serbisë do të gjykohej si një e “drejtë” ekskluzive e politikës së Prishtinës nga aktorët e saj politikë, kur Edi Rama fliste përballë Vuçiç për rëndësinë e njohjes së Kosovës nga ana e serbëve.
Por mesa duket, “ftohja” mes dy shteteve të të njëjtit komb do të shuhet shpejt dhe për këtë është provë, një drekë e “ngrohtë” mes Ramës dhe Presidentit Thaçi, që pritet të mbahet të martën në Prizren.
Madje Presidenti Thaçi ka lëvizur diçka nga pozicioni i tij, ka lavdëruar deklarimin e Ramës gjatë vizitës në Beograd duke thënë se fjalët e tij ishin të qëlluara dhe të sakta.
Ndër të tjera, në punimet e Seminarit të 93-të të Asamblesë Parlamentare të NATOS-s, e cila mbahet në Prishtinë, Presidenti i Kosovës ka deklaruar se askush nuk ka ndonjë aspiratë për ndryshimin e kufijve me Shqipërinë dhe se bashkëpunimi mes dy vendeve, duhet t’i gëzojë të gjithë.
“Me Shqipërinë kemi raporte të shkëlqyera të bashkëpunimit institucional, para dy ditësh jam takuar me kryeministrin Rama, pasnesër do të kemi drekë me kryeministrin Rama në Prizren. Po ky bashkëpunim i yni duhet t’i gëzojë, sepse është bashkëpunim i standardeve dhe vlerave euroatlantike dhe në asnjë mënyrë nuk duhet shikuar me dyshim. Ne nuk e kemi asnjë aspiratë as si Kosovë, as si Shqipëri ndryshimin e kufijve përkundrazi hapjen e kufijve sipas standardeve evropiane “, tha ai./java/a.k