Juristi Sokol Hazizaj, në një intervistë për “TemA”, sqaron se ndryshimet e reja kushtetuese të nxituara dhe të pamatura do të sjellin konflikte të forta institucionale dhe ky ngërç do të pasohet me konflikte të reja. Jo vetëm Kushtetuta e re e cila është bërë me urgjencë. Hazizaj thotë se arsyeja e dytë që shkakton ngërçe të tilla, është edhe mungesa e vullnetit për zbatimin e ligjit nga politika. Por, në rastin e kreut të shtetit që nuk ka hapur garën për kandidaturat për në institucionet e “Vettingut”, ka të bëjë edhe me faktin se Nishani nuk ka dëshirë të veprojë.
Ende nuk është hapur gara për aplikimet për institucionet e “Vettingut”. Ku qëndron vështirësia sipas këndvështrimit tuaj?
Problemi është se konflikti tani nuk është vetëm institucional por dhe ligjor. Po dalin në pah shumë të meta të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore gjithashtu. Kam thënë edhe më parë që ndryshimet kushtetuese dhe ligjore nuk do të mbartin frymë propocionale me Kushtetutën dhe ligjet. Që do të thotë se aplikimi i detyrimeve kushtetuese e kalon kohën dhe hapësiren e parashikuar në Kushtetutë për krijimin e institucioneve të reja.
Tani Presidenti Nishani nuk pranon, thotë se ka kaluar koha…?
Është e vërtetë dhe teknikisht ka të drejtë. Ndonëse ligjërisht nuk ka respektuar detyrimin kushtetues për pranimin e aplikimeve, flas për në fillim.
Por ai filloi por e goditën …?
Përkundrazi, deklarimi tij trajtonte si pengesë mungesën e ligjeve organike, fakt i cili mund të jetë i vërtetë. Por gjithësesi në vështrimin teknik afatet fillojnë pas miratimit të ligjit organik. Në këtë kuptim, konflikti kushtetues midis aplikimit në mënyrë të drejtëpërdrejtë të Kushtetutës dhe ligjit, nuk është kompetencë e tij, por e Gjykatës Kushtetuese. Nëse Presidenti do të fillojë procedurën sipas afateve ligjore të pranimit të kandidaturave, këtu nuk ka asgjë të keqe. Nëqoftëse një nga subjektet nuk e ankimon në Kushtetuese. Nëse ndodh e kundërta është tregues i mungesës së vullnetit për reformën në drejtësi.
Por procedura duhet të fillojë…?
Avokati i Popullit nuk mundet dhe nuk ka se si të pranojë apo fillojë procedurën, ndonëse Presidenti vonon ose tejkalon një detyre kushtetuese dhe pse me të drejtë. Parregullsitë apo cedimet teknike, në kuptim të kohës së ushtrimit të një tagri, qoftë dhe kushtetues nuk pengon të drejtën dhe detyrimin ligjor për të mos e ushtruar fare detyrën ligjore. Që do të thotë se në kuptimin ligjor është më mirë të bësh një gabim ligjor se sa të mos e respektosh asnjëherë ligjin.
Me një fjale duhet ta hapë procesin Nishani?
E kundërta do të jetë fatale dhe do ta çojë procesin në fatalitet dhe mungesë besimi në të gjithë reformën. Thjesht reforma ka dy momente kryesore, që janë organizimi dhe qeverisja e gjyqsorit. Sa kohë te dyja këto vonojnë ose deformohen, ligjet dhe ndryshimet nuk marrin kuptim. Raporti midis materies dhe kohës anon nga e para, sepse pa të nuk ka kuptim dhe ekzistenca e vetë organit apo institucionit.
Mos po pret vendimin e Kushtetueses Nishani për Vettingun”?
Procesi i “Vettingut” për nga mënyra e organizimit dhe funksionimit nuk ka lidhje tërësore dhe të drejtëpërdrejtë me qeverisjen, sepse siç dihet Kolegji i Gjyqtarëve është organ që përbëhet dhe zgjidhet jo vetem nga gjyqsori. Ritheksoj se procesi ka rëndesi kur fillon në respekt të ligjit dhe përsoset në menyrë graduale.
Po nëse Nishani refuzon të shpallë aplikimet?
Ka nje shprehje klasike, më mirë një ligj të keq se sa pa ligj fare. Kushtetuta jonë ka parashikuar kontiunitet në ligjbërje, prandaj dekreti diskutohet më pas në Kuvend. Cinizmi ligjor s’ka asgjë të përbashkët me të drejtën kushtetuese për t’i mbyllur derën formës dhe përmbajtjes së institucioneve. Të mos harrojmë që ndryshimet kushtetuese lënë shumë për të deshiruar qoftë në formë dhe përmbajtje, por kjo nuk dp të thotë që të mos konstituohen organet.