Valonia bllokon marrëveshjen tregtare BE-Kanada dhe turpëron BE-në. Valonët janë kryekëput kundër globalizimit dhe marrëveshjeve për tregtinë e lirë.
Një pjesë e jashtëzakonshme teatri politik: një rajon që përfaqëson vetëm 0.7 për qind të popullsisë evropiane, mban peng gjysmë miliardë qytetarë të tjerë të BE-së. Në ditën e parë të samitit në Bruksel kryeministri i Valonisë Paul Magnette tha në Namur se ndoshta problemi mund të zgjidhej përmes bisedimeve. Por edhe diskutimet e ethshme gjatë natës nuk patën dobi. Të premten Magnette tha se takimi i nivelit të lartë BE-Kanada, i planifikuar për javën e ardhshme, duhet të shtyhet.
Kundër globalizimit
Rajoni i Valonisë ka me Kanadanë një vëllim tregtar prej 150 milionë eurosh në vit dhe përbën vetëm 15% të vëllimit tregtar të Belgjikës. Por problemi nuk është te paratë, por te ndjenjat. Valonët janë kryekëput kundër globalizimit dhe marrëveshjeve për tregtinë e lirë. Për ta marrëveshja CETA është vepër e djallit. Pavarësisht se sa është përshtatur kjo me normat evropiane, Valonia është kundër për arsye ideologjike.
Nga pikëpamja ligjore ajo po ashtu mund të bëjë rezistencë, sepse qeveria qendrore e Charles Michel-it u ka dhënë shumë pushtet rajoneve dhe madje edhe të drejtën që të thonë fjalën e tyre në marrëveshjet ndërkombëtare. Kjo është absurde dhe tregon për një strukturë qeverisëse disfunksionale. Përse p.sh. zona të tjera edhe më të mëdha si landi Nordrhein-Westfalen në Gjermani, apo rajoni Provence-Alpes-Cote d’Azur në Francë nuk e kanë këtë të drejtë.
Dizastër për BE-në
Qëndrimi i Valonisë është një katastrofë politike për Bashkimin Evropian. Blloku më i madh tregtar i botës humbet prej kësaj besueshmërinë. Nëse nuk do të arrihet një marrëveshje në ditët e ardhshme, BE do të turpërohet krejtësisht. Kush do të dojë të zhvillojë bisedime për ndonjë marrëveshje me të, nëse në fund një rajoni të caktuar i teket të thotë jo.
Por më e keqja është se BE-ja do të bëhet në arenën ndërkombëtare qesharake. Nëse ajo nuk do të jetë në gjendje të veprojë në kompetencën e saj themelore, në politikën tregtare, atëhere strukturat e BE-së në Bruksel mund të shpërbëhen së shpejti.
DW