Lajmi se Armina Mevlani bën një jetë luksoze, madje edhe të shfrenuar është shpesh motiv i sulmeve ndaj blogeres së famshme, të komentuar shpesh edhe për lidhjen e saj me djalin e ish-kryeministrit, Shkëlzen Berisha. E ndërsa shumë herë ish-Mis Shqipëria i tejkalon me indiferentizëm komentet jo shumë pozitive në media për të, këtë herë nuk ka arritur të heshtë. Në një intervistë për “Bluetooth”, Armina na tregon se sulmet ndaj saj janë për arsye politike.
Megjithatë, ajo nuk bën fajtor partnerin e saj Shkëlzen Berisha, teksa thotë se kritikat vijnë për shkak të pozicionit që ajo ka. “Më kritikojnë për arsye politike dhe nuk ka të bëj fare me figurën time si personazh”, rrëfen Armina, e cila sqaron se hotelet luksoze ku e shohim shpesh në rrjetet sociale nuk i paguan, por e mirëpresin falas.
Armina, një shishe vere e personalizuar të ka vënë në qendër të kritikave të njerëzve në rrjetet sociale dhe mediave. Pse mendon se të sulmojnë kaq shumë?
Njerëzit, nuk e di, nuk kam ndonjë sulm të madh prej tyre, ndërsa për mediat mund të them se e bëjnë ato që kanë një interes politik, jo të gjitha. Mendoj se e bëjnë për arsye politike dhe nuk ka të bëj fare me figurën time si personazh.
Po thua që të sulmojnë për shkak të Shkëlzenit?
Nuk mund të them për shkak të Shkëlzenit, por për shkak të pozicionit që kam. Askush nuk merret me personazhet e tjerë publik dhe shpenzimet e tyre, apo si udhëtojnë.
Të vjen keq që bëhesh objekt kritikash për lidhjen me Shkëlzen Berishën dhe nëse do ishe e dashura e dikujt tjetër do shiheshe me sy më pozitiv?
Jo, nuk më vjen keq, sepse unë punoj dhe në fund të ditës kam arsye t’i shpjegoj. Ndaj edhe jam përgjigjur, që njerëzit të mirë informohen, që kjo është pjesë e punës sime. Për sa kohë jam e justifikuar dhe kjo është e vërteta nuk kam aspak pse të ndihem keq. Ata që vërtet e dinë blogun si funksionon nuk më kanë gjykuar për këtë pjesë.
Si u ndjeve kur të erdhi shishja e verës e personalizuar, me emrin tënd?
Shumë mirë, sepse ishte një vlerësim nga ana e hotelit, që jo vetëm më mirëpritën falas, por më bën edhe këtë surprizë.
Pse falas?
Kështu funksionon. Të jesh bloger mjafton të postosh “check-in” në hotelet ku qëndron dhe ndjekësit e tu e shohin. Po ashtu jam mirëpritur edhe në Francë. Unë si këmbim u bëj disa postime hoteleve ku qëndroj.
Akuzat për luks të shfrenuar
Ndonëse në çdo dalje publike a intervistë nëpër studio televizive, ajo kujdeset të sqarojë me detaje punën dhe përfitimet që vijnë bashkë me të qenit “blogere mode”, Armina Mevlani vazhdon të sulmohet për jetën e saj luksoze. Këtë herë bëhet fjalë për një shishe vere të personalizuar, të ofruar në një nga hotelet më të mira në Turqi, i cili sipas portaleve online, pagesat nisin nga 475 euro/nata dhe arrijnë shifra mbi një mijë euro.
“Sigurisht që benefite të tilla nuk mund t’i ketë çdo vajzë në moshën e Arminës, por ajo është nusja e djalit të ish- kryeministrit dhe ia lejon vetes këto “shfrenime”. Të gjithë ne kemi “kontribuar” nga pak në qejfet e Arminës. Por siç duket nuk kanë fund “çmenduritë” e Arminës dhe financuesit të saj Shkëlzen Berisha. Së fundmi, ajo ka arritur të ketë edhe një verë me emrin e saj. Në llogarinë e saj në “Facebook” ajo shkruan, “Falënderoj hotelin më të mirë në Stamboll “Ritz Carlton” që më mirëpret dhe më trajton si princeshë”, shkruajnë mediat për modelen. Armina Mevlani aktualisht gjendet në Stamboll, ku po tenton një tjetër portë në industrinë e modës.