Tifozët e Kosovës të grupit “Dardanët” kanë shkuar edhe më tej duke dalë me një deklaratë ku kërkohet ndëshkimi i Shakos nga punëdhënësit e tij të Digitalb. Shakohoxha tha në emision se ky grupim ndryshoi logon e tij pas njohjes së Kosovës nga FIFA dhe UEFA. “Në fillim logoja e tyre ishte kuqezi, tani është verdheblu. Kjo është qesharake”, tha Shakohoxha duke nxitur reagimin e tyre, raporton Telegraf.
“…ne jemi thellësisht të indinjuar me paraqitjen publike të të punësuarit tuaj Dritan Shakohoxha. Ai në emisonin Opinion të televizionit nacional Klan shfryu një grumbull fyerjesh, ofendimesh, insinuatash e gënjeshtrash në drejtim të grupit të tifozëve Dardanët, fytyrave më eminente të futbollit kosovarë (përfshi këtu edhe legjendën e futbollit kosovarë dhe aktualisht kryetarin e FFK-së, Fadil Vokrri), qytetarëve, simboleve dhe vet shtetit të Kosovës.
Paraqitja e tij destruktive, agresive dhe shumë joparimore ka lënduar ndjenjat e mijëra tifozëve dhe qytetarëve të Kosovës, shikues dhe abonues të platformës televizive që ju udhëhiqni. Ai, pa fije skrupulli përqeshi simbolet e tifozëve dhe shtetit të Kosovës. Për më tepër, ai me një qëndrim prej rrugaçi dhe me argumente prej injoranti vuri në pikëpyetje nevojën për ekzistencën e kombëtares së Kosovës tashmë anëtare me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA. Të njëjtat qëndrime me Dritan Shakohoxhën i kemi dëgjuar vetëm nga Federata e Futbollit të Serbisë dhe nga kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës.
Shprehja publike e qëndrimeve të tilla, nga një punonjës i kompanisë suaj prestigjioze dhe mbështetës medial i përfaqësueses së Kosovës, në kohën kur po pritet shqyrtimi i padisë së Serbisë në Gjykatën e Arbitrazhit të Sportit, në rastin më të mire është budallallëk e në më të keqin janë deklarata qëllimkëqija dhe potencialisht të rrezikshme e të dëmshme”, thuhet ndër të tjera për gazetarin Dritan Shakohoxha në deklaratën e “Dardanëve” .
“Dardanët” thonë se kanë qenë dhe do te jenë gjithmonë përkrahës edhe të kombëtares së Shqipërisë. Sipas tyre deklaratat e gazetarit shqiptar janë përçarëse dhe dashakeqe, e sidomos kur vijnë nga një komentator futbolli. Në fund ata kërkojnë që Shakohoxha të ndëshkohet dhe ai vetë të kërkojë falje publikisht për deklaratat e bëra.
ma.me