Kryetari i Kuvendit, Meta u shpreh se vizita në Athinë ka për qëllim të nxisë bashkëpunimin politik mes dy parlamenteve dhe të forcojë lidhjet mes tyre në interes reciprok, dhe theksoi se Kuvendi i Shqipërisë inkurajon forcimin e marrëdhënieve shumëplanëshe mes Shqipërisë dhe Greqisë si dy vende fqinje anëtarë të NATO-s dhe të ndodhura përballë sfidave të përbashkëta bashkëkohore, rajonale dhe globale.
Duke shprehur vullnetin e qartë për rëndësinë e marrëdhënieve të partneritetit strategjik, vitale dhe dinamike me Greqinë, Meta shprehu angazhimin për të ndërtuar së bashku një platformë model, sfiduese, ambicioze dhe të qëndrueshme të këtyre marrëdhënieve në interes të të ardhmes së vendeve dhe popujve tonë, platformë të bazuar në vlerat e përbashkëta euroatlantike, ato të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.
“Marrëdhëniet strategjike mes Shqipërisë dhe Greqisë kanë rëndësi rajonale dhe mesdhetare, ndaj të diskutojmë hapur dhe në mënyrë konstruktive, në interes të së ardhmes së përbashkët dhe të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe duke zgjidhur kështu çështjet e trashëguara nga e kaluara dhe të mbartura në kohë”, nënvizoi Meta.
Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Greqia i ka dhënë Shqipërisë në anëtarësimin e saj në NATO, në marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat në BE dhe që jep ndaj ecurisë së saj në procesin e integrimit evropian.
Meta dhe Voutsis ndanë bindjen e përbashkët se shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri janë ura të shëndosha të lidhjeve dhe bashkëpunimit mes vendeve dhe popujve tonë.
Gjatë takimit u vlerësua nga të dy kryeparlamentarët procesi i nisur i intensifikimit dhe thellimit të dialogut dhe kontakteve të diplomacisë së të dy vendeve, në funksion të rritjes së besimit, thellimit të bashkëpunimit dhe të eksplorimit me qetësi e racionalitet të mundësive për gjetjen e zgjidhjeve mbi një sërë çështjesh dypalëshe ende të pa adresuara mes palëve, duke konverguar në përputhje me interesat e përbashkëta afatgjate.
Kryetari Meta nënvizoi se Shqipëria dhe Greqia, si dy vende të NATO-s dhe pjesë të vlerave evropiane dhe proceseve pjesëmarrëse, integruese dhe emancipuese të BE-së përputhen në interesa, sfida, shqetësime dhe parashikime të së ardhmes se vendeve të tyre, atë të rajonit dhe të botës.
“Jemi të vendosur që marrëdhëniet mes dy vendeve të krijojnë model për marrëdhëniet në rajon si vende që vështrojnë dhe ndërtojnë raportet e tyre në trajtimin e drejtë dhe diskutimin e sinqertë se edhe historia, tradita dhe trashëgimia mund dhe duhet t’i shërbejnë të ardhmes së marrëdhënieve mes dy vendeve tona”, u shpreh Meta.
Më tej, u nënvizua fakti se interesat e përbashkëta dhe bashkëpunimi i ngushtë dhe reciprok politik, ekonomik, ushtarak, financiar, ai i sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit dhe trafikut kriminal ndërkufitar e krimit të organizuar duhet të prevalojnë mbi çështjet e trashëguara dhe të mbartura nga historia.
Duke motivuar dhe inkurajuar frymën e miqësisë, bashkëjetesës dhe duke evidentuar integrimin e emigrantëve shqiptarë në jetën dhe shoqërinë e Greqisë dhe vëmendjen tonë ndaj minoritetit grek në Shqipëri si ura të qëndrueshme dhe afatgjata të marrëdhënieve mes dy popujve tanë, Meta vuri në dukje se ne krijojmë një platformë të besueshme, jo vetëm për të diskutuar, por edhe për të gjetur zgjidhje në kohën e përshtatshme dhe të favorshme për çështjet e së kaluarës.
Në këtë kuadër, Kryetari i Kuvendit Meta u shpreh: “Është përgjegjësi e jona gjetja e instrumenteve të duhura për të na çliruar nga ngarkesa dhe akte historike në funksion të krijimit të një fryme dhe opinioni pozitiv për shoqëritë e vendeve tona në kuadrin e realiteteve moderne e me shikim në të ardhmen e përbashkët.
Komisionet e përbashkëta ndërdikasteriale duhen nxitur për t’i dhënë një zgjidhje bashkëkohore ligjit të njëanshëm të luftës të 1940-s për të pasqyruar realitetin e sotëm të fqinjësisë së mirë, përkatësisë transatlantike, rrugëtimit evropian dhe miqësisë se hershme ndërmjet dy popujve tanë. Po kështu, respektimi i të drejtave të pronës së qytetarëve shqiptarë, që kanë jetuar në Greqi do të ndihmonte shumë në krijimin e një klime më të favorshme në marrëdhëniet tona”.
Në përfundim, duke u ndalur te nevojat e komunitetit shqiptar në Greqi, Meta shprehu mirënjohjen për vëmendjen e qeverisë greke ndaj emigrantëve dhe vuri në dukje se njohja e Vulës Apostile shqiptare nga ana e Greqisë do të lehtësonte marrjen dhe qarkullimin e dokumenteve të shtetasve shqiptarë, por edhe grekë, ndërkohë që zgjidhja e çështjes së sigurimeve shoqërore nëpërmjet një marrëveshjeje dypalëshe, njohja nga pala greke e lejeve shqiptare të drejtimit sipas standardeve evropiane, do të ishin masa efikase me efekte praktike dhe në ndihmë të qytetarëve shqiptarë në Greqi.
Ndërkaq, gjatë këtij takimit Nikolaos Voutsis i akordoi Ilir Meta “Medaljen e Artë të Parlamentit të Greqisë”. Kjo medalje i akordohet personaliteteve të rëndësishme në shenjë nderimi për kontributin e tyre nga Parlamenti grek.