Ministri i Energjetikës dhe i Minierave në Serbi, Aleksandër Antiç, ka deklaruar se do të formohet një ekip i ekspertëve i cili “do të luftojë për kombinatin Trepça” me mjete të plota juridike.
Antiç, duke folur në RTS, ka theksuar se Qeveria do të provojë të gjejë zgjidhje e cila do t’i mbrojë më së miri interesat serbe.
“Qytetarët e Serbisë nuk duhet të kenë dilema se Qeveria e Serbisë nuk i mbron interesat e të gjithë qytetarëve”, ka shtuar Antiç, transmeton Koha.net.
Ai ka shpjeguar se Fondi për Zhvillim i Republikës së Serbisë është pronari kryesor i Trepçës me 56 për qind të pronësisë, ndërsa ka shtuar se do të formojë një ekip ekspertësh dhe se është e domosdoshme që në zgjidhjen e këtij problemi të përfshihen edhe ekspertë nga Fakulteti Juridik dhe Fakulteti Ekonomik i Minierave dhe Gjeologjisë.
“Jemi të vetëdijshëm për të gjitha problemet, por do të luftojmë me të gjitha mjetet juridike. Besoj se Perëndimi do ta njohë të drejtën e pronës si një e drejtë universale”; shtoi ministri serb, cituar nga Koha. (b.an)