Njësitë e qeverisë vendore duhet të administrojnë shërbimet e kujdesit shoqëror, që deri tashmë kanë qenë vetëm në kompetencat e shërbimit sociale shtetëror.
Këtë parashikon drafti i ri i Ministrisë së Mirëqenies Sociale që nisi diskutimin në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë.
Sipas projektligjit, pranë këtyre njësive do të ketë struktura të posaçme dhe punonjës social që do të bëjnë vlerësimet e personave që jetojnë në varfëri apo kanë aftësi të veçanta.
Bardhylka Kospiri, zv/ministre: Bashkitë të kuptojnë rolin e tyre. Kjo do të jetë që ata t’i orientojnë drejt një zyre ku ata do të kenë mundësi të ta thonë nevojën. Zgjidhet apo jo është tjetër punë, por ama do të ketë një zyrë që do t’i dëgjojë, që do të ketë paralel një hartë shumë të qartë të shërbimeve që u ofrohen aktualisht në zonën përkatëse apo nivel rajoni, apo nivel qendror, që do të monitorohet edhe puna e tyre, me miratimin e këtij ligji do të shkohet më tej.
Por opozita në këtë komision, tha se drafti nuk është i qartë duke vënë në pikëpyetje që kjo mënyrë organizimi do të ndihmojë vërtetë njerëzit në nevojë.
Albana Vokshi: Mendoj që ka mbivendosje kompetencash, nuk janë sqaruar mirë ose pushteti qendror merr kompetenca që nuk i takojnë ndaj pushtetit vendor. Juve i përcaktoni bashkive që të ngrenë drejtori për shërbimin shoqëror ndërkohë që ministria juaj nuk e ka kompetencë.
Një tjetër shqetësim që ngritën demokratët për këtë draft është numri i paktë i punonjësve social që parashikohet në këtë projektligj ku 1 punonjës social do të mbulojë 10,000 banorë./oranews/a.k