Hashim Thaçi do të ballafaqohet me deputetët e opozitës përsëri në Kuvendin e Kosovës. Kur u zgjodh në postin e Presidentit nxori jashtë deputetët opozitarë, ndërsa kësaj radhe do t’i ketë përballë në adresimin e tij vjetor, që do ta bëjë para organit më të lartë ligjvënës.
Por, në atë seancë kreu i shtetit nuk do të jetë i mirëpritur nga opozita, e cila paralajmëron se nuk do ta presin me duartrokitje.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fund të këtij viti pritet të rikthehet përsëri në Kuvend, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Kreu i shtetit, i cili mori votat e deputetëve të koalicionit qeverisës, por jo edhe të atyre opozitarë, pas rreth një viti do t’i ketë përballë përsëri, aty ku këta të fundit kundërshtuan ashpër zgjedhjen e tij në postin e Presidentit.
Mirëpo, Presidenti Thaçi nuk do të mundë të zgjedhë ndryshe, meqë Kushtetuta e Kosovës ia obligon adresimin vjetor para deputetëve të Kuvendit. Presidenti i Kosovës, në bazë të Kushtetutës së Kosovës, neni 84, që ka të bëjë me kompetencat e Presidentit, obligohet që t’u adresohet deputetëve një herë në vit.
“Së paku një herë në vit Presidenti i drejtohet Kuvendit të Kosovës përkitazi me fushëveprimtarinë e tij”, thuhet në nenin 84, pika 30. Por, kreu i shtetit nuk do të jetë i mirëpritur nga deputetët e opozitës, të cilët, edhe pse ende të pavendosur, nuk do ta dëgjojnë fjalimin vjetor të Thaçit, citojmë “Gazeta Zëri”. (b.an)