Avokati i Nehat Thaçit, drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës, që u arrestua në Serbi me akuzën për, siç thuhet, ‘terrorizëm’, Sead Spahoviq, i tha Radios Evropa e Lirë, se “Thaçi nuk është marrë në pyetje dhe ai nuk e di as se për çfarë akuzohet”.
Spahoviq, i cili e ka vizituar Thaçin në paraburgim në Nish, tha se “problemi qëndron në faktin se po vazhdon një debat ndërmjet Nishit dhe Beogradit se cila prokurori është “kompetente për rastin në fjalë”, përderisa ‘një person vazhdon të mbahet në paraburgim”.
Drejtori rajonal i Policisë së Kosovës, Nehat Thaci, u arrestua nga mesi i javës së kaluar në vendkalimin kufitar të Konçulit, ndërmjet Kosovës e Serbisë, me akuzën, sic thuhet. “të kryerjes së veprave të terrorizmit”.
Një Gjykatë në Nish, më 30 shtator i shpalli masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Avokati i Thaçit, tha se bazuar në shkresat e ofruara “prapa gjithë kësaj ngjarjeje qëndron një gjykatë në Prishtinë, e cila atje as nuk ekziston; përmendet gjykata e qarkut në Prishtinë, prokurori publik në Prishtinë, drejtoria e policisë në Prishtinë, dhe bëhet fjalë për vitin 2006”, por thotë Spahoviq, “është e qartë se janë një lloj ‘i para organeve fantome’ që në fakt janë në Nish dhe ‘aktrojnë drejtësinë në Kosovë’”. (b.an)