Shtatë muaj pas vrasjes së 29-vjeçarit Asllan Kërtusha ka ndryshuar akuza për dy të akuzuarit Gëzim dhe Bledar Kajno nga vrasje me paramendim, në vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike. Është Drini Pali, i cili ka marrë në dorë çështjen nga ana e akuzës, ndërsa njoftimi është bërë i ditur në faqen zyrtare të Prokurorisë së Durrësit.
E teksa akuza për dy të akuzuarit ka ndryshuar, ende nuk ka një datë për fillimin e gjykimit të dy kushërinjve nga Gjykata e Durrësit. Më 1 mars të vitit 2016, 29-vjeçari Asllan Kërtusha ka qenë në lokalin që është në pronësi të njërit prej dy të arrestuarve. Pas një konflikti në lokal, sherri u spostua jashtë ambienteve, ku degradoi në dhunë fizike. Kërtusha tentoi të ikte me një taksi ndërsa dy kushërinjtë Gëzim dhe Bledar Kajno e nxorën atë jashtë mjetit dhe i qëlluan në gjoks me armë.
29-vjeçari humbi jetën rrugës për në spital. Dinamika e ngjarjes u zbulua e plotë pas sekuestrimit të kamerave të sigurisë. Në momentin që gjykata la në burg autorët, masa e kërkuar nga prokurori ishte “Vrasje me paramendim në bashkëpunim”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Fshehje e krimit” e ndryshuar me akuzën vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike, ndërsa i referohet nenit 82 të Kodit Penal, ku thuhet: “Vrasja me dashje, e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike të çastit, shkaktuar nga dhuna ose fyerja e rëndë e viktimës dënohet me burgim gjer në tetë vite”. Çështja pritet të gjykohet së shpejti në Gjykatën e Durrësit.
BW/d.i.