Qeveria duhet të dëmshpërblejë ish-të përndjekurit në shumën e 52.7 miliardë lekëve, baras me 425 milionë dollarë.
Pas daljes të ligjit për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve për periudhën 2009-2015 janë dhënë 16.7 miliardë lekë apo 135 milionë dollarë, ndërsa detyrimi i palikuiduar i qeverisë llogaritet 36 miliardë lekë ose 290 milionë dollarë.
Fatura financiare e dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit është zbardhur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Bëhet fjalë për dëmshpërblimin e viteve të burgut, duke mos përfshirë shpërblimin për punën e papaguar.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke marrë parasysh numrin e dosjeve të ish-të përndjekurve dhe këstet e dëmshpërblimit të ndara gjatë këtyre 7 viteve, arrin në përfundimin se për përfundimin e procesit duhen edhe 18 vjet.
Në këto kushte kreu i institucionit, Bujar Leskaj, i ka rekomanduar qeverisë rritje të fondit, duke përdorur 20 për qind të të ardhurave nga privatizimet strategjike për kompensimin.
Panorama/d.i.