Më shumë se 3 tonë kanabis sativa, një pjesë e kultivuar e tjetra në proces tharjeje, u asgjësuan dje pas një operacioni antidrogë të organizuar nga Policia e Shtetit. Blutë kanë shpallur në kërkim shtetasin Shpëtim Lika, i cili administronte një banesë të braktisur.
Pas lajmit se Lika kishte qenë kryetar i PD-së në ish-komunën Rukaj, janë publikuar foto në të cilën shihet Rukaj së bashku me ish-kryeministrin Berisha në një miting.
Personi që ka dashur të mbetet anonim, shkruan:
“Ky eshte Shpetim Lika, personi i shpallur ne kerkim policor per kultivimin e 13 mije rrenjeve kanabis sativa, 3 toneve lende narkotike. Ka qene per shume vite kryetar i PD per ish komunen Rukaj. Ketu ka pozuar me ish liderin e PD Sali Berisha, gjate fushatave elektorale te PD. Mos e vini emrin tim nese e publikoni kete foto.”
Shpëtim Lika është edhe këshilltar i Partisë Demokratike në Bashkinë e Matit, qarku Dibër si përfaqësues i komunës Rukaj (Burrel), i zgjedhur nga lista shumëemërore e PD, në zgjedhjet vendore të 21 Qershorit 2015-ë.
Lika është shpallur në kërkim nga dita e djeshme kur një sasi rekord droge prej 3 ton e 52 kg e llojit hashash, u sekuestrua dje nga Policia e Matit, pas një operacioni të gjerë antikanabis në këtë zonë.
Droga është gjetur e paketuar në një magazinë, në fshatin Rremull, ku ishte e paketuar dhe e gatshme për t’u hedhur në treg.
Ndërkaq, Shpëtim Lika në profilin e tij në Facebook, mban foto kryesore atë me ish-kryeministrin Sali Berisha. Më një navigim në faqe, zbulohet se, Lika ka shpërndarë dhe Lazaratin e dikurshëm me një thënie, “Lazarati, fshati që dikur ushqente gjithë Shqipërinë. Vetëm spiunat nuk e pëlqejnë këtë foto”.
Pak ditë më parë ishin fotot e Bashës me një tjetër trafikant droge që bënë xhiron e rrjetit./Tema/a.m.