Policia e Shtetit vijon aksionin antikanbis në Mat ku në 3 ditë u asgjësuan rreth 13 mijë bimë narkotike. Uniformat blu bëjnë me dije se gjatë operacionit u sekuestrua një kamionçinë e kompanisë private “AREKLA” ku u gjet drogë.
Detajet e policisë:
Në lidhje me informacionin e dhënë me datë 29. 09. 2016, për operacionin policor anticannabis në territorin e rrethit Mat, ku policia për 3 ditë asgjësoi 12.966 bimë narkotike, dhe u sekuestruan 3052 kg bimë gjysëm e tharë në një hangar në fshatin Rremull Njësia Administrative Rukaj Bashkia Mat ju informojm se:
Vazhdon puna në mënyrë intensive nga ana e policisë Matit, për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale për të çuar para drejtësisë personat e implikuar në këtë ngjarje.
Në vijim të veprimeve në afërsi të vendit ku u gjet bima narkotike është gjetur një automjet i braktisur tip kamionçinë me targë TR 1344 U.
Ky automjet është sekuestruar nga ana jonë në cilësinë e provës materiale për veprime të mëtejshme.
Nga verifikimet paraprake të kryera rezulton se ky automjet i përket Firmës AREKLA SH. P. K.
Nga ana jonë vazhdon puna në mënyrë intensive në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Mat, për të përcaktuar se kush e ka përdorur këtë automjet dhe a ka shërbyer ky automjet në këtë aktivitet kriminal./a.m.