Armando Sadiku është i bindur se do të jetë i gatshëm për dy ndeshjet e kombëtares shqiptare të futbollit dhe tregoi se frika për të mos rrezikuar praninë me kuqezinjtë e kishte mbajtur atë jashtë sfidës së Ligës së Europës të Zyrihut.
“E provova pak sot në stërvitje, kishim një nxemje muskulore. Provova të godas e bëja sprinte, dy-tre goditje bashkë me trajnerin. E ndjeva pak këmbën, goditjen e pësuar te gjuri. Fola me trajnerin dhe bashkë vendosëm të mos rrezikonim”, tha futbollisti i përfaqësueses shqiptare për “SuperSport”.
“Por besoj se këto 3-4 ditë, deri të hënën që grumbullohem me kombëtaren, do të jem në 100%”, ishte mesazhi qetësues i sulmuesit shqiptar.
Duke folur për ndeshjet me kuqezinjtë, Sadiku është i ndërgjegjshëm që ato duhet të merren me radhe dhe se i gjithë fokusi duhet të jetë mbi ndeshjen kundër Lihtenshtejnit.
“Ndeshjet merren një nga një, e para kundër Lihtenshtejnit e pastaj kundër Spanjës. Akoma më e rëndësishme është kjo e para ndaj Lihtenshtejnit, pasi na duhen medoemos tre pikët. As nuk duhet ta llogaritim një barazim, apo larg qoftë, një humbje. Pastaj me Spanjën nuk ka nevojë për motivim, pasi këmbët të ecin vetë”, tha sulmuesi.