Policia italiane ka arrestuar 10 shtetas shqiptarë, pjesëtarë të një bande kriminale e cila merrej me prodhimin e drogës dhe shfrytëzim prostitucioni. Mediat italiane nuk kanë bërë me dije emrat e shqiptarëve që kanë rënë në prangat e policisë por shkruajnë se e veçanta e kësaj bande ishte se në celularët e vajzave që shfrytëzoheshin si prostituta, ishin instaluar aplikacione që i lejonin atyre kontrollin dhe monitorimin e aktivitetit të vajzave. Organizata kriminale e shqiptarëve i riinvestonte fitimet që nxirrnin nga prostitucioni në trafikimin e drogës.
Policia ka ekzekutuar urdhërarrestet e lëshuara nga Gjykata e Torinos, dhe disa arrestime në flagrancë ndaj 10 shqiptarëve, të akuzuar për rekrutimin, shfrytëzimin dhe detyrimin për prostitucion, mbajtjen në mënyrë të paligjshme të armëve, grabitje, lëndime të rënda trupore, dhe prodhim droge.Hetimet filluan në gusht të vitit 2015, kur në veri të qytetit të Torinos kishin ndodhur disa sulme,që sipas mediave italiane kishte nisur një luftë mes bandave për kontrollin e territorit të prostitucionit.
Shqiptarët nuk e toleronin praninë e femrave të tjera që nuk ishin të tyre për të prostituuar në atë zonë dhe i kishin sulmuar vajzat nigeriane.Mësohet se shqiptarët përdornin 10 vajza, shqiptare dhe greke, që ishin të detyruara të prostituonin në Torino, Volpiano dhe Cuneo.Vajzat kishin arritur përmes mashtrimit në Itali, nga Greqia dhe Shqipëria, me premtimin e një pune, një shtëpie dhe një martese me trafikantët, por fati i tyre ishte rruga.Prostitutat thuhet se rriheshin dhe poshtëroheshin kur fitimet ishin më pak se donin shqiptarët.
Policia ka zbuluar tre plantacione të mbjella me drogë, në Corio (Torino), Mortara (PV) dhe Abbiategrasso (MI), të menaxhuara nga të dyshuarit me ndihmën e shqiptarëve të tjerë. Në fushat e kanabisit, policia ka gjetur më shumë se 4.000 bimë marihuanë, me vlerë disa milionë euro nëse hidhej në treg. /ma.me