Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Sarandë. Sipas burimeve paraprake, një person është gjetur i pajetë në fshatin Shëndelli të Sarandës. Ai është Aleksandër Bardhi, 47 vjeç, vëllai i ish-kreut të Njësisë Administrative Kaçinar. Bardhi është gjetur nga një i afërm i tij anës rrugës në një kanal. Sipas hetimeve paraprake, rezulton se ai është qëlluar me armë zjarri tip automatik. Policia ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 00:35, në Spitalin e Sarandës është dërguar një trup i pajetë i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri. Policia ka filluar menjëherë hetimet paraprake në lidhje me ngjarjen dhe ka bërë të mundur identifikimin e viktimës si shtetasi Aleksandër Bardhi, 47 vjeç, banues në fshatin Shëndëlli, Sarandë. Gjatë hetimeve paraprake dyshohet se ngjarja ka ndodhur afër fshatit Shëndëlli (përballë fshatit Vrinë) ku sipas deklaratës së personit që e ka shoqëruar viktimën në Spitalit e Sarandës (djali i xhaxhait të viktimës) dyshohet se trupi i pajetë është gjetur nga ana e tij i vrarë me armë zjarri të dyshuar të llojit “Automatik” në rrugën hyrëse të këtij fshati. Grupi hetimor po kryhen veprimet e mëtejshme për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Policia ka ngritur pika kontrolli në rrugët kyçe rreth kësaj zone për rënien në gjurmë të autorëve me qëllim identifikimin dhe kapjen e tyre.