Presidenti i Parlamentit Europian ka bërë të ditur këtë të premte se, qeveria britanike ka qenë e papërgatitur përpara mundësisë së votës pro “Brexit”-it në referendumin e qershorit, e për këtë arsye tashmë është përfshirë në dilemën se kur duhet të nisin bisedimet për divorcin mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian.
Martin Schulz është shprehur se qeveria konservatore “as nuk e ka menduar triumfin e votës për largim” në atë referendum të kërkuar prej ish-kryeministrit Cameron, i cili loboi fuqishëm në favor të qëndrimit të ishullit në BE, por pas rezultatit dha dorëheqjen nga drejtimi i qeverisë, madje edhe nga mandati i deputetit.
Schulz ka folur këtë të premte në “London School of Economics”, ku ka thënë se mendimi i tij është se “qeveria britanike është e pavendosur në lidhje me kohën dhe mënyrën” sesi duhet të aktivizojë periudhën dyvjeçare të bisedimeve për shkëputje.
Schulz, një socialdemokrat gjerman, udhëheq tashmë Asamblenë legjislative të BE-së, ndërsa ka nxitur Britaninë e Madhe të nisë bisedimet sa më shpejt të jetë e mundur. Megjithatë, kryeministrja britanike Theresa May është shprehur se diçka e tillë nuk do të ndodhë përpara fundit të këtij viti.
Sipas Schulz, dalja e Britanisë nga blloku është një situatë nga e cila humbasin të dyja palët, ndaj dhe e ka quajtur “një fatkeqësi për ne dhe për Mbretërinë e Bashkuar”./tch/a.k