Zënka midis një shqiptari dhe një afrikani në një autobus publik në Itali shpejt degjeneroi në një sherr masiv, fillimisht në autobus dhe më pas jashtë tij.
Mediat italiane shkruajnë se në sherr u përfshinë një duzinë të rinjsh, çka më pas u shoqërua edhe me përdorimin e një thike kuzhine. Pasi shoferi i nxori nga mjeti urban, të rinjtë, të ndarë në dy fraksione u përleshën në rrugë.
Një shqiptar plagosi me thikë një nga kundërshtarët. Drejtuesi i autobusit ka lajmëruar policinë, ndërkohë që mbylli dyert e mjetit duke lënë jashtë agresorin me thikë, i cili kërkonte që të hipte dhe të vazhdonte rrugën, raporon ora news.
Pasi e kuptoi se nuk mund të hipte në mjet, shqiptari është larguar, për t’u ndaluar pak momente më vonë nga policia. I plagosuri është nga Gana, i cili ka përfunduar në spital jashtë rrezikut për jetën.
Gjashtë persona u arrestuan nga policia, tre prej të cilëve shqiptarë, përkatësisht shtetasit me iniciale K.D, 26-vjeç, M.E, 27-vjeç, dhe X.M, 26-vjeç. Të gjithë janë me dokumente në rregulla në komunën e Parmës, ndërsa janë vendosur nën arrest shtëpiak në pritje të vendimit të prokurorit./a.m.