Numri i aplikimeve për regjistrimin e objekteve të Pronësisë Intelektuale në Drejtorinë e Përgjithshme e Patentave dhe Markave (DPPM), gjatë periudhës 1 janar – 15 shtator 2016, është rritur dukshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit parardhës.
Sipas statistikave nga Drejtoria e Përgjithshme e Patentave dhe Markave, aplikimet për marka kombëtare janë rritur në masën 24.8 % në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas DPPM-së, përmirësimi i cilësisë dhe shkurtimi i afateve në ekzaminim, kombinuar me shtimin e eventeve promovuese mbi njohjen dhe rëndësinë e PI-së, është reflektuar në rritjen në masën 100% të aplikimeve kombëtare për shpikje.
Ky dyfishim i numrit është gjithashtu një nga treguesit kryesor të zhvillimit të inovacionit në vend. Ndërsa, rritja e numrit të aplikimeve për marka dhe patenta në total, është përkatësisht 18% dhe 32,5%.
Tendenca e theksuar rritëse është një tregues i mirë se bizneset tona po ndërgjegjësohen për regjistrim dhe mbrojtjen e pronës së tyre industriale./a.m.