Një 39-vjeçar është arrestuar nga policia e Krujës pasi ka tentuar të vrasë dje fqinjin e tij me thikë. Sipas të dhënave zyrtare është arrestuar shtetasi Gazmend Prapaniku, banues në fshatin Gramës, Krujë.
39-vjeçari mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:30, gjatë një konflikti të çastit ka goditur me thikë në trup komshiun e tij, shtetasin N.S. 49 vjeç.
Për pasojë, i dëmtuari ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë nën kujdesin e mjekëve.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi Gazmend Prapaniku ka qëlluar një herë në ajër me armë gjahu në oborrin e banesës së tij dhe më pas ka ofenduar dhe plagosur me thikë komshiun. Ky i fundit kishte në dorë një mjet prerës.
Policia ka sekuestruar gjithashtu:
një armë gjahu;
9 fishekë arme gjahu;
një thikë;
mjet prerës dhe
një gëzhojë arme gjahu.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje të armëve të ftohta”, “Mbajtja pa leje të armëve të gjahut” dhe “Prishja se qetësisë publike”.
BW/d.i.