Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve shpalli emrat e gjashtë sipërmarrjeve që do të përfitojnë nga Fondi i Konkurreshmërisë për vitin 2016. Gjithsej u dorëzuan 11 aplikime, ndërsa Komisioni i Aprovimit të Grantit miratoi gjashtë prej tyre.
Dy nga sipërmarrjet që do të përfitojnë nga grantet janë nga Durrësi, ndërsa të tjerat nga Lezha, Shkodra, Gjirokastra etj.
Për periudhën 2016 – 2018, qeveria do të vërë në dispozicion në total 84 milionë lekë. Për secilin vit, shuma në dispozicion është 28 milionë lekë.
Qëllimi i fondit është të ndihmojë kompanitë shqiptare të depërtojnë me produktet e tyre në tregje të huaja, duke siguruar mbështetjen e nevojshme financiare për aktivitete që do të ndihmojnë në zbatimin e planit të tyre për eksport.
Shuma maksimale që mund të përfitojë një subjekt është 1.4 milionë lekë dhe agjencia mbulon deri në 70%. Për periudhën 2014 – 2015 fondi në dispozicion i vënë nga qeveria u disbursua në masën 100%. /a.m.