Një “tërmet” ka tronditur këtë të premte aksionet e Deutsche Bank në bursën e Frankfurtit, pas publikimit të lajmit se Departamenti amerikan i Drejtësisë i ka kërkuar të paguajë 14 miliardë dollarë.
Lajmi ka bërë që aksionet në hapjen e bursës të bien me 7.2 për qind, pavarësisht se banka ka paralajmëruar se nuk ka ndërmend ta mbyllë çështjen duke paguar shifrën e kërkuar nga amerikanët raporton tch.
Administrata amerikane ka kërkuar dëmshpërblimin rekord në kuadër të një hetimi mbi disa hipoteka që jepen kundrejt garancive, por që u janë dhënë individëve apo kompanive të pakualifikuara, duke u bërë elementi kryesor që shkaktoi krizën ekonomike të vitit 2008.
Burime në dijeni të përmbajtjes së dosjes kanë deklaruar se, Deutsche Bank nuk ka ndërmend të bëjë lëshime përballë kërkesës amerikane, ndaj dhe gjasat janë që të nisë një proces negociatash mes palëve./a.m.