Një apo dy dekada më parë, të gjithë i kishin sytë nga kompanitë e huaja, italiane, greke apo çfarëdo vend tjetër i Perëndimit. Ato kishin kapitalin, “know how” e nevojshëm për të bërë biznes, por edhe për të “nuhatur” sektorët që kishin të ardhme.
Në 20 vjet, shumë gjëra kanë ndryshuar. Bizneset shqiptare janë rritur dhe tani kanë përvojën dhe kapitalin e mjaftueshëm për t’u zgjeruar vetë jashtë vendit.
Mediat italiane po i bëjnë jehonë së fundmi blerjes së 40% të aksioneve të një start up italian Chebuoni.it nga agjencia e web marketing Localweb e Agron Shehaj, që cilësohet nga mediat italiane si “mbreti shqiptar i call center”. Localweb e Agron Shehaj i ka dhënë besim kompanisë start up dhe zgjerimit të saj, duke investuar 2,8 milionë euro, për ta vlerësuar atë në 7 milionë euro.
“Blerja për Localweb është në radhë të parë një diversifikim në një fushë me shumë potencial: tregu dixhital”, tha për Monitor, z. Shehaj. “Me Localweb u ofroj shërbim reklame në web sipërmarrjeve të mesme dhe të vogla në Itali dhe me blerjen e Chebuoni.it rris ofertën e shërbimeve në Itali”, thotë Shehaj, duke shtuar se me interes shikon vetëm tregun italian për këtë lloj shërbimi dhe jo atë shqiptar.
Chebuoni.it
Valentino Marangi, themelues i Chebuoni.it, që në moshën 16-vjeçare zhvilloi një aplikacion për të riparuar Msn messenger, Msn repair, që u shkarkua më shumë se 1 milion herë dhe pagesa prej 70 cent për download, i mundësoi të vinte disa para mënjanë. Në Universitetin e Bolonjës, në Fakultetin e Informatikës zhvilloi atë që sot është aktiviteti i tij kryesor: CheBuoni.it, që grumbullon skontot e kompanive të ndryshme. Një aktivitet që nisi me 7.5 euro për blerjen e domain www.chebuoni.it dhe një skuadër me tre vetë dhe në harkun kohor të një viti, vizitat e faqes kanë kaluar nga 1,5 milionë në mbi 9 milionë, abonentët e newsletter nga 180.000 në një milion dhe të punësuarit nga 4 në 12, duke pasur 30 klientë të mëdhenj dhe 200 ndërmarrje të mesme, shkruan Corriere.it.
Në kërkim të ndryshimit të modelit të biznesit Localweb u kontaktua nga Marangi për t’u bërë një klient potencial. « Agron Shehaj u interesua për ne, duke thënë se donte të investonte, unë ndërkohë doja të vazhdoja të drejtoja sipërmarrjen time — thotë i riu — dhe më bëri një propozim për të blerë 40% të kuotave për 2,8 milionë euro, shkruan Corriere.it. “Në sajë të mbështetjes ekonomike të Localweb do të ofrojmë shërbime më të mira, me një navigim më të zgjuar dhe do të fillojmë me portale paralele, një i dedikuar për mamatë, një për udhëtimet dhe një për zbavitje”. Planet për të ardhmen përfshijnë që ta çojnë në më shumë se 4 milionë numrin e abonentëve në newsletter, dhe të replikohet i njëjti biznes në Francë, Spanjë e Gjermani, ndërsa xhiro e 2016-s pritet të arrijë në 1.5 milionë euro.
Pionieri i call center në Shqipëri
Agron Shehaj është një nga pionierët e aktivitetit të qendrave të thirrjeve telefonike (call center) në Shqipëri. Dikur një emigrant në Itali, e hapi kompanitë Intercom Data Service (IDS) në vitin 2005, kur ky sektor sapo po hidhte hapat e para. Në vitin 2008, sipas bilancit, xhiro e kompanisë u pesëfishua në 20.2 milionë lekë (rreth 142 mijë euro). Rritja e shpejtë vazhdoi në vite, teksa në 2015-n, qarkullimi vjetor i kompanisë është rreth 2.7 miliardë lekë (gati 20 milionë euro) dhe fitimet ishin rreth 553 milionë lekë (4 milionë euro), sipas bilancit dorëzuar në QKR. Rreth një vit më parë, Agron Shehaj shiti biznesin për një shumë prej 10 milionë eurosh, sipas kontratës së shitblerjes. Blerësi ishte kompania Sesante Holding, me seli në Londër, por ai vazhdon ende të mbetet administrator i kompanisë IDS./monitor/a.k