Opozita ka një sërë popozimesh te sajat kur fjala vjen për Prokurorinë e Posaçme ose siç njihet ndryshe si SPAK.
News24’ ka siguruar sot opinionin e Partisë Demokratike në lidhje me Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur ndryshe SPAK, pjesë e paketës për reformën në drejtësi.
Mësohet se opozita nuk ndan të njëjtin qëndrim me maxhorancën për disa pika, siç është rasti për Njësinë e Posaçme me Policinë Gjyqësore, e cila emërohet nga Policia e Shtetit dhe organet e tjera të pushtetit ekzekutiv.
Kjo sipas PDsë bie ndesh me varësinë ekskluzive që Kushtetuta (neni 148) i ka njohur NJPH vetëm nga Prokuroria e Posacme, dhe si e tillë cënon parimin e shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
Një tjetër problem që has opozita është edhe fakti se ky projektligj i jep mundësi pushtetit ekzekutiv (ILDKPKI, DSIK), që të pengojnë ose të ndërhyjnë në mënyrë të pakontrolluar në përzgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Gjykatave/Prokurorive të Posaçme.
Po ashtu, ndër shqetësimet e ngritura nga PD është edhe fakti se të gjitha institucionet e pavarura të luftës ndaj korrupsionit (gjykatat e posacme, prokuroria e posaçme dhe njësia e posacme hetimore), vendosen nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e Qeverisë, jashtë kontrollit të një prokurori, duke shkelur sipas tyre standardet e pavarësisë dhe të paanësisë së organeve të reja kushtetuese. Sakaq, PD shpreh shqetësim edhe për kriteret e emërimit të Drejtorit të Njësisë së Posaçme Hetimore, që sipas saj nuk garantojnë standardet e një konkurrimi të lirë. PD thekson se kontrolli i SPAK duhet të bëhet nga një komision Ad Hoc, ndërsa ai duhet të marrë informacione për pastërtinë dhe figurën e prokurorëve apo gjyqtarëve, i cili më pas do të bëjë vlerësimin.