Policia e Pogradecit ka nisur procedimin penal për dy punonjës të policisë bashkiake me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi kishin ngritur pika kontrolli dhe vendosnin gjoba, ndërsa lekët i merrnin në dorë. Dy punonjësit e policisë bashkiake të Pogradecit, 45-vjeçari A.H dhe 27-vjecari A.B kontrollonin në kundërshtim me ligjin mjetet e tonazhit të rëndë dhe u vendosinin gjoba abusive të cilat i detyronin që t’i paguanin në dorë.
“Ka nisur procedimi për shtetasit A.H, 45 vjeç dhe A.B, 27 vjeç, të dy banues në Pogradec. Procedimi ndaj tyre filloi pasi, këta shtetas në datë 09.09.2016, duke qenë me detyrë punonjës të Policisë Bashkiake Pogradec, jashtë kompetencave të tyre, pranë vendit të quajtuar “Varrezat e Dëshmorëve”, në dalje të qytetit të Pogradecit, duke shpërdoruar detyrën, kanë ngritur një pikë kontrolli për mjetet e tonazhit të rëndë, si edhe kanë vendosur masa administrative duke detyruar drejtuesit e mjeteve, që këto të fundit t`i shlyenin duke i paguar me lekë në dorë.”
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm, i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale: “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.