Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dalë në një konferencë për mediat ku komentoi humbjen e thellë në bashkinë e Dibrës nga kandidati i djathtë. Ai pranoi humbjen, por tha se përballë ishte aleanca e krimit që ushtroi presion dhe bleu votat. Basha tha se nga zgjedhjet humbi Shqipëria por humbën edhe ata që u joshën nga paratë e krimit.
“Karteli drogës e fitoi këtë betejë. Ne e humbëm këtë betejë, unë dua të falënderoj 14 mijë qytetarë që nuk u joshën, nuk u bletë nuk u trembët nuk u mposhtët, por votuat për votën e lirë. Dibranët u përballën me kartelin e drogës, dhe korrupsionit. Fatkeqësisht në këtë përplasje fitoi karteli krimit dhe humbi politika. Sot në Dibër humbi politika e ndershme, humbi Shqipëria. Humbën vlerat europiane, humbën dhe të varfrit, që u joshën nga paratë e krimit dhe nga paratë e korrupsionit. Humbën edhe ata që nuk menduan për të nesërmen dhe panë përfitimin e momentit. Humbën edhe ata që votuan për Muhamet Ramën”, tha Basha.
Më tej ai tha se demokratët do t’i shpallin luftë krimit.
***
Komentin e tij Basha e bëri pas homazheve në memorialin e Azem Hajdarit. Basha tha se sot është një ditë e zezë për Dibrën. Sipas tij, krimi dhe politika janë bërë bashkë.
“E sotmja është një ditë e zezë për politikën shqiptare. Është dita kur politika dhe krimi u bënë njësh, sepse politika në aleancë me krimin, u kthye në politikë në shërbim të krimit. Politika në shërbim të krimit prodhoi, traumën e madhe kombëtare, sulmin e madh ndaj vlerave themelore të demokracisë dhe shtetin ligjor, zhytjen e Shqipërisë në krim dhe pasiguri, dhe vrasjen e heroit të Shqipërisë Azem Hajdari.
Dita e sotme është një moment apeli ndaj çdo qytetari të mos pajtohemi me politikën e inkriminuar, të mos pajtohemi me inkriminim e politikës. E sotmja është një ditë kushtrimi, një betejë e përmasave epike na pret në mejdanin e historisë. Kujtimi i Azem Hajdarit, jeta dhe vepra e tij janë në krahun tonë, dhe ai është një engjëll mbrojtës për të rinjtë dhe të gjithë ne për të fituar këtë betejë. Shqipëria e kartelit të drogës, vuan sot nga një mungesë lirie që prodhohet çdo ditë. Vepra e Hajdarit është vepra e kurajës, për t’u çuar dhe për t’u përballur me të keqen. Liria dhe demokracia marrin frymë vetëm përmes sakrificës. Lavdi përjetë Azem Hajdarit, Azem ti je gjallë”, tha Basha./a.m.