Kryeministri francez Manuel Valls ka bërë të ditur se shërbimet kombëtare të sigurisë po parandalojnë komplote terroriste dhe po shkatërrojnë rrjetet e militantëve çdo ditë.
Valls deklaroi se rreth 15 mijë njerëz janë duke u monitoruar për shkak të radikalizimit, teksa vendi vijon me fushatën kundër militantëve xhihadistë. Më herët, autoritetet franceze kishin njoftuar se rreth 10 mijë persona ishin identifikuar si “me rrezikshmëri të lartë”.
Një djalë 15-vjeçar është arrestuar në shtëpinë e tij në Paris gjatë së shtunës, pas dyshimeve se po planifikonte një sulm përgjatë fundjavës.
Hetuesit thonë se ai kishte qenë nën mbikëqyrje që prej muajit prill dhe se kishte kontaktuar me një pjesëtar francez të të ashtuquajturit Shtet Islamik, Rachid Kassim.
Franca ndodhet në gjendje emergjence që prej sulmeve terroriste të ISIS-it në Paris, nëntorin e vitit të kaluar, ku mbetën të vdekur 130 persona, në atë që presidenti Francois Hollande e quajti një “akt lufte”.
Gjithsesi, një komision hetuesish doli në konkluzionin se gjendja e emergjencës ka pasur një “ndikim të kufizuar” në përmirësimin e sigurisë në vend. Komisioni ngriti dyshime mbi dislokimin e rreth 6.000 apo 7.000 ushtarëve në mbrojtje të shkollave, sinagogave, dyqaneve të shitjes dhe vendndodhjeve të tjera të rëndësishme.
“Sot kërcënimi është në nivelet më të larta dhe ne jemi sërish një objektiv”, tha Valls për median franceze. “Çdo ditë, shërbimet sekrete dhe policia po parandalojnë komplote, po shkatërrojnë rrjete dhe po mbikëqyrin terroristët. Janë rreth 15 mijë njerëz në Francë, të cilët po monitorohen, sepse ata janë në proces radikalizimi të thellë”.
Në një intervistë të zymtë, kryeministri socialist tha se “do të ketë sulme të reja dhe do të shënohen viktima të tjera të pafajshme”.
Siguria është një çështje qëndrore në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm, por Valls tha se, propozimet e ish-presidentit Nicolas Sarkozy për ngritjen e gjykatave speciale dhe qendrave të paraburgimit, nuk janë zgjidhja e duhur.
Sakorzy, i cili njoftoi në gusht se mund të garojë sërish për Presidencën, ka dhënë një intervistë për gazetën “Le Journal du Dimanche”.
“Çdo francez i dyshuar të ketë lidhje me terrorizmin, për shkak se konsultohet vazhdimisht me faqe interneti xhihadiste, apo sjellja e tyre tregon shenja të radikalizimit, ose janë në kontakte të ngushta me njerëz të radikalizuar, duhet të dërgohet në qendra paraburgimi si shenjë parandaluese”, ka thënë ai.
Ndërkohë, prokurorët ngritën akuzë ndaj një prej grave të arrestuara për komplotin e dështuar pranë Katedrales “Notre Dame”, në Paris. Ornella G., 29 vjeç, u akuzua për përfshirje të dyshuar në një akt terrorist dhe vrasje të mbetur në tentativë. Tri gra të tjera u morën në pyetje nga policia, pasi një makinë e parkuar me bllokazhe të ndezura dhe pa targa, u gjet të dielën e para një jave pranë katedrales, e mbushur me bombola gazi.
Ato dyshohen se po planifikonin sulme të tjera “të pashmangshme dhe të dhunshme”. Prokurori i Parisit, Francois Molins tha të premten se gjurmët e gishtërinjve të Ornella G. u gjetën brenda makinës. Ajo njihej nga agjentët e shërbimeve sekrete si një person që kishte marrë në konsideratë vajtjen në Siri. Ajo u arrestua në jug të Francës gjatë së martës, së bashku me të dashurin e saj, i cili më pas u la i lirë.
TCH/d.i.