Ndodhitë në jetën e saj kanë qenë dramatike, megjithatë, Rezarta Shkurta ia ka arritur të mbijetojë, të shpëtojë martesën e saj dhe të vazhdojë përpara. Këngëtarja, e njohur edhe si bashkëshortja e nipit të diktatorit Enver Hoxha, ka rrëfyer për herë të parë përjetimet e saj më të thella në lidhje me burgosjen e bashkëshortit të saj, i akuzuar për “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, por edhe faktit që prej gati dy vjetësh po rrit vajzën e saj Hera e vetme.
Në intervistën për “Prive”, Rezarta Shkurta shprehet se, “nuk jam duke pritur që të kalojë një muaj, por jam duke pritur si të kalojë edhe një ditë dhe të nesërmen sërish si ta kaloj edhe atë ditë. Nëse më përpara shkoja në shtëpi dhe gjeja shtëpinë, tani shkoj dhe gjej katër faqe muri, saqë ndonjëherë preferoj as dritat të mos i ndez. Nuk e di si po ia dal dhe nëse po ia dal, thjesht po lë kohën të kalojë”.
Si është jeta e Rezarta Shkurtës?
Shpesh shumë bukur, shpesh shumë problem. Ka qenë gjithmonë një luftë midis “të jesh ajo vajza adoleshente” ose “të jesh ajo vajza e re”, apo “të jesh ajo vajza nënë”, apo “të jesh ajo vajza artiste”, apo “të jesh nusja e atij”… Pa dashje, edhe pse shpesh bëjmë sikur nuk na intereson opinioni apo ajo që na rrethon, thellëthellë na intereson, dhe kjo na bën që të mos e lejojmë jetën tonë 100% ashtu siç ndihet, por pa dashje ta jetojmë edhe siç të tjerët duan. Sigurisht që sjell edhe trishtim kjo gjë. Është e vështirë të jesh personazh, sepse je në fokusin e syrit gjykues, shpeshherë njerëzit presin që ti të bësh atë që duan ata, ndonjëherë edhe të afërmit. Por, ashtu siç janë shenjat e gishtave, që janë të ndryshëm, ashtu edhe të gjithë njerëzit janë të ndryshëm. Mendoj se gjithsecili nga ne është një instrument më vete. Nuk duhet të jenë patjetër të gjithë piano, apo të gjitha violina, por nëse i bashkon, bëhet një simfoni shumë e bukur. Rezarta nuk është më këngëtare, gradualisht e ke braktisur këtë punë duke iu përkushtuar fotografisë.
Nëse do të të jepej mundësia të fotografoje jetën tënde, si do ta realizoje?
Një gjë është e sigurt, që fotografia e jetës sime nuk do të ishte komerciale dhe nuk do të shitej, nuk do të preferohej nga revistat e modës. Është e sigurt që do të ishte bardhezi. Do ishte bardhezi jo sepse nuk është e bukur, apo sepse unë nuk i dua ngjyrat, i dua shumë ngjyrat, por një gjë është e sigurt, ose dua shumë ose nuk dua fare; ose jap maksimumin, ose jam tërësisht indiferente, prandaj do ishte bardhezi, sepse nuk ka gri.
Prej vitesh ke qenë e rrethuar nga kritikat, por ngjarja më e fundit në jetën tënde i dha kulmin. Je ndjerë e paragjykuar?
Paragjykime do të ketë gjithmonë, nuk mund t’i evitojmë. Më kujtohet që është paragjykuar edhe personi që tha se bota është e rrumbullakët. Çdo njeri, kur përballet me diçka që nuk e njeh, ka tendenca për ta paragjykuar. Por unë nuk dua të bëj si ata, nuk dua të paragjykoj ata që më paragjykojnë. Nuk ka gjë, le ta bëjnë! Nuk e kam fokus; fokusi im real është të bëj të lumtur familjen time.
Rezarta, e aktron buzëqeshjen apo di të qëndrojë në fatin që i është caktuar?
Kush e gjeti lumturinë e përjetshme që të jem unë ajo që duhet ta gjej?! Të gjithë ne kemi problemet tona, çdo familje kalon gjëra jo të këndshme, sigurisht që nuk jam në kulmin tim të lumturisë. Aktualisht, pavarësisht se kam gjetur dashurinë e jetës sime, Ermalin, jam e detyruar të rris vajzën vetëm, jam e detyruar që ajo të mos luajë çdo ditë me babain e saj në park, apo në shtëpi, të mos flemë të tre… Kështu që, sigurisht nuk jam në kulmin e lumturisë, por ajo që më ngushëllon është që shpresoj shumë së shpejti, të gjitha këto që thashë, që ëndërroj brenda shpirtit tim të bëhen realitet. Nuk kam asnjë dëshirë tjetër më të madhe, por që atë princeshë të vogël, që ne e sollëm në jetë me aq shumë dashuri, të kemi shansin ta shijojmë të dy. Ermali është burgosur dhe ju vazhdoni të jeni nënë dhe grua e përkushtuar… Një shprehje shqiptare thotë: Kur i ra njeriut diçka dhe nuk e përballoi?! Sikur të më kishin thënë në ditët e para që kjo histori do zgjasë një muaj, përveçse realisht do isha çmendur, do kisha urryer edhe personin që do ma thoshte. Për mua ishte e papranueshme, por shpresa, dashuria, ngrohtësia familjare dita-ditës të bëjnë ta kalosh. Nuk jam duke pritur që të kalojë një muaj, por jam duke pritur si të kalojë edhe një ditë dhe të nesërmen sërish si ta kaloj edhe atë ditë. Plus kësaj, unë jam edhe pak ambicioze, në kuptimin që unë e dua shumë punën, dhe normalisht një meritë, përpos dashurisë familjare, për mua ka qenë edhe puna, një ilaç i madh. Engjëjt e vegjël të punës sime kanë bërë që të ikë dita, problem ka qenë mbrëmja. Nëse më përpara shkoja në shtëpi dhe gjeja shtëpinë, tani shkoj dhe gjej katër faqe muri, saqë ndonjëherë preferoj as dritat të mos i ndez. Nuk e di si po ia dal dhe nëse po ia dal, thjesht po lë kohën të kalojë.
Je realisht kaq e fortë, apo mundohesh sepse kështu duhet të jetë?
Unë nuk besoj se ka njeri, qoftë femër apo mashkull, që të jetë i fortë. Çdo njeri thjesht i përjeton gjërat në mënyrën e tij. Unë jam nga ata njerëzit që nuk kam shumë qejf të flas për gjendjen time reale shpirtërore, dhe në këtë intervistë unë po thyej një tabu. Deri në momentin që dikush nuk ma zgjidh dot problemin, e kam shumë të vështirë ta shpreh. Gjithsesi ke vajzën tënde, Herën, e cila të bën të lumtur . . . Me Herën nuk është aktrim, që unë të shkoj dhe të bëj të lumturën, por realisht Hera më bën njeriun më të lumtur në botë. Ajo më bën të lumtur edhe kur bën gabime, edhe kur e kthen shtëpinë përmbys. Është realisht motivi i jetës dhe lumturisë sime.
Si mbijeton raporti yt me Ermalin, kur ti je e lirë dhe ai i burgosur?
Nuk e di, sepse kjo gjë ndodh natyrshëm, pa e ditur ne se si ndodh. Mund të them që jam mikja e tij më e mirë, dhe kjo është pika më e fortë e marrëdhënies sonë, por në këtë rast nuk mund të them që kam qenë ndoshta një ngushëlluese më e mirë. Shpeshherë ka qenë ai, edhe pse është në ato kushte, që më mban mua me shpresë dhe dashuri. Nuk jam në gjendje të flas gjatë për këtë pyetje.
BW/d.i.