Rritja e kredive të këqija ka ardhur për shkak të abuzimeve që bëhen nga bankat, duke qenë ato të vetmet gjeneruese të kredive me probleme.
Kanë qenë deputetët e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, gjatë diskutimit të ligjit të falimentit, që akuzuan punonjësit e bankave si përgjegjësit kryesorë të shtimit të kredive të këqija. Kreu i Komisionit, Fatmir Xhafaj, u shpreh se ndryshimet e ligjit nuk e zgjidhin problemin e kredive të këqija, pasi përgjegjës për to janë oficerët e kredive, të cilët kanë përfituar financiarisht nga procesi.
“Argumentet që dhatë ju nuk janë bindëse, se është e vërtetë se mund të bëni 1, 2 apo 3 ankande, mund të ulni 20 apo 30% vlerën, por problemi i kredive të këqija me këto masa nuk arrin të zgjidhet plotësisht. Kjo sepse në vlerësimin e parë të pronës, banka me aksionerët e saj mund t’i kenë politikat e shëndetshme, por njerëzit që janë aty në banka, disa prej tyre mund të jenë bërë milionerë me këtë, më shumë sesa debitori i vetë për shkak të këtyre proceseve”, u shpreh Xhafaj.
Bankat kanë dhënë kredi me kolaterale jo të sakta, duke shmangur detyrimet ligjore. Sipas deputetëve, ndërkohë që rriten kreditë e këqija dhe ka procese ligjore, nuk ka asnjë akuzë për drejtuesit e bankave, se përse janë dhënë kredi kur nuk duhet të jepeshin.
“Edhe për bankat është çështje e vlerësimit të riskut që e kanë çuar gjendjen në këtë nivel se oficerët e kredive të bankave janë ata që i kanë bërë këto, nuk i kemi bërë ne kreditë e këqija”, shpjegoi Xhafaj.
Deputetët ngritën edhe shqetësimin për shitjen e kolateralit, ku sipas tyre duke shitur pronën e qytetarëve me 20 për qind apo 30 për qind të vlerës, bankat zgjidhin vetëm hallin e tyre, pasi ndryshimet e ligjit nuk lejojnë që qytetarët të ankohen mbi vlerësimin.
Edhe deputeti i opozitës, Eduard Halimi, tha se ndryshimet e propozuara nuk e zgjidhin problemin e kredive, pasi problemi është te vlerësimi i koletaralit.
DEBATI NË KOMISION
Fatmir Xhafaj: Bankat janë një grup interesi shumë i rëndësishëm në këtë proces, sepse sjellja e bankave në treg, nuk është sjellja e çdo lloj biznesi. Sjellja e bankave në treg ka të bëjë drejtpërsëdrejti me qytetarin, me ekonominë e vendit, me sigurinë e vendit. Nga kjo pikëpamje, banka nuk mund të sillet si një subjekt që mund të bëjë ç’të dojë në treg. E para, është fakti që legjislacioni në këtë fushë ka ndryshuar disa herë dhe insistuese kanë qenë bankat, po ashtu iniciuese të këtyre iniciativave kanë qenë po bankat, edhe me mbështetjen e Bankës Botërore dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë dhe situata nuk është se ka bërë përpara, situata ka ardhur duke u rënduar. Kreditë e këqija mbeten përsëri problem për ekonominë, zgjidhet halli i bankës, në njëfarë mënyre, se mund të procedohet më shpejt, të marrë një pjesë të kolateralit, por kreditë e këqija mbeten problem. Unë si ligjvënës dhe shoqëria nuk jemi që të zgjidhim hallin e një aktori në treg, por të zgjidhim problemin që ka tregu.
Ajo që nuk na bind ne me këto masa është a zgjidhjet problemi i tregut. Argumentet që dhatë ju nuk janë bindëse, se është e vërtetë se mund të bëni 1, 2 apo 3 ankande, mund të ulni 20 apo 30% vlerën, por problemi i kredive të këqija me këto masa nuk arrin të zgjidhet plotësisht. U ngrit këtu problemi i vlerësuesit dhe ajo ku dua të dal është se këtu ka diçka që nuk shkon dhe ky është opinioni i të gjithëve. Nuk shkon që nga vlerësimi fillestar i pronës dhe vlerësimit të pronës më prapa.
Kjo sepse në vlerësimin e parë të pronës, banka me aksionerët e saj mund t’i kenë politikat e shëndetshme, por njerëzit që janë aty në banka, disa prej tyre mund të jenë bërë milionerë me këtë, më shumë sesa debitori vetë për shkak të këtyre proceseve. Ajo që do të donim ne është se: në rregull i zgjidhëm këto problemet e tjera, po hallkën bankë në këtë proces, me funksion përgjegjës të ekonomisë, sigurisë publike, të stabilitetit, kush do të na e zgjidhë dhe si, pasi është vetëm një këndvështrim dhe ne mendojmë se që këtu gjenerohen problemet?
Përpos diskutimeve apo të vëmë përgjegjësi penale apo që nëpunësit e bankave të venë në përgjegjësi penale për këtë gjë që është një histori tjetër dhe ka vajtur tregu këtu. Nuk besojmë se për këto zgjidhja që i keni dhënë është e duhura, dhe për disa të tjera nuk ka zgjidhje fare, ose ia keni lënë në dorë lojës suaj të brendshme.
Edhe për bankat është çështje e vlerësimit të riskut që e kanë çuar gjendjen në këtë nivel, se oficerët e kredive të bankave janë ata që i kanë bërë këto, nuk i kemi bërë ne kreditë e këqija. Është e vërtetë ajo që thatë ju që ai debitori kur të firmosë, po ky që e lëshon dhe pse ne duhet t’i japim lehtësi të tjera? Dakord këtij t’ia zgjidhim dhe t’ia vendosim dy këmbët në një këpucë që ta shlyejë, po ky tjetri që e bën këtë gjë dhe i krijon ekonomisë problem?
Eduard Halimi: Problemi që ju ndodh në të gjithë vargun, për të marrë kredinë që keni dhënë, që nga gjykata, te vlerësuesi dhe te përmbaruesi.
Me kreditë e këqija ekziston ky problem. Shkon përmbaruesi dhe thotë që vlera nuk është 100 lekë, por është 20 lekë, prandaj keni bërë atë ju që të mos ankohet vendimi dhe të hiqet eksperti, siç thoni ju. Besoj se ju këtu e keni çelësin e problemit. A është ky problem dhe nëse po, a keni ndërmend ta zgjidhni?/Panorama/a.m.