Kërcënimet nëpërmjet telefonit tani janë bërë një trend i ri i krimit për “zhvatjen” e parave. Pothuajse çdo ditë në policinë e Tiranës regjistrohen denoncime nga persona që kanosen me anë të telefonin në këmbim të shumave të parave.
Rasti më i fundit është ai i një 64-vjeçari, i cili ka bërë kallëzim në drejtorinë e policisë së kryeqytetit se një person e ka marrë në telefon dhe e ka kërcënuar duke i kërkuar shumën e parave prej 3 mijë euro.
Madje jo vetëm kaq, kërcënuesi i ka lënë edhe një afat kohor për t’i dorëzuar paratë, datën 9 shtator 2016. Menjëherë policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Ndërsa për rastin e dytë të kërcënimit me anë të telefonit, policia e Tiranës e ka gjetur autorin dhe ka nisur hetimet.
Sipas burimeve nga uniformat blu të kryeqytetit mësohet se një 26-vjeçare me iniciale F.Gj, dyshohet se me anë të telefonit, ka kërcënuar me jetë 21-vjeçaren A.F. Për këtë rast policia i ka referuar materialet prokurorisë së Tiranës.
Por nga kërcënimet telefonike policia është hasur këto 24 orë edhe me kërcënime që kanë shkuar deri në dëmtime të pronës. Ky është rasti i një 52-vjeçari me iniciale A.Sh, i cili dyshohet se rreth orës 11:30, të ditës së hënë në rrugën “Vllazën Huta”, ka kanosur me fjalë shtetasen M.Sh, 53 vjeç si dhe ka dëmtuar bravat e derës së një palestre në pronësi të një firme.
Sipas policisë, ai pretendon se është aktiviteti i tij. Për këtë policia ka referuar materialet organit të akuzës së Tiranës, që do të hetojë më tej këtë ngjarje./noa.al/a.k