Probleme në Surrel, në qendrën ku voton kryeministri Rama
Ka pasur probleme në Surrel, në qendrën e shkollës “Ymer Lala” ku pritet që të votojë dhe kryeministri Edi Rama, ndërsa mësohet se bllokimi pak çaste është bllokuar procesi i votimit.
PEZULLOHET PROCESI I VOTIMIT NË TEPELENË
Në Tepelenë procesi i votimit është pezulluar për shkak të gabimeve në fletët e votimit. Për këtë bashki kandidojnë, Tërmet Peçi i ASHE-së, Veip Çela i APPD-së dhe kandidati i pavarur Dritan Memushaj. Por në fletën e votimit ka vetëm dy numra. I pari është Memushaj me numrin 1 dhe në numrin 2 janë dy kandidatë, ai i ASHE-së dhe i APPD-së. Po bashkëpunohet mes KZAZ dhe KQZ-së për të zgjidhur këtë problem dhe deri në arritjen e një konkluzioni zgjedhjet janë pezulluar.
NË BURGUN E RROGOZHINËS DHE PEQINIT NUK KA NISUR ENDE PROCESI I VOTIMIT
Media raporton se në 2 burgje të Peqinit dhe Rrogozhinës nuk ka nisur procesi i votimit pasi ka patur problem me materialet zgjedhore që s’kanë mbërritur ende. Në 19 burgjet e tjera procesi normal, deri tani pjesëmarrje e ulët. Ky është një proces specifik dhe çdo person që do futet në këto ambiente duhet të kontrollohet dhe monitorohet.
4 QENDRA VOTIMI NË DURRËS NUK JANË HAPUR ENDE
4 qendra votimi në Durrës nuk janë hapur ende. Shkak i kësaj situate është bërë ngatërrimi i kodeve të kutive të votimit. Sakaq, pritet që të vinë nga KQZ materiale për të ndryshuar kodet.
DROPULL, NË 4 QENDRA VOTIMI NUK JANË SHPËRNDARË MATERIALET
Në 4 qendra votimi në Dropull nuk janë shpërndarë ende materialet e votimit. Sakaq, mësohet se është ndërruar në momentin e fundit kryetari i KZAZ-së.