Shqipëria është mësuar që në të shumtën e ndeshjeve të jetë inferiore sa i përket vlerës së lojtarëve në treg, krahasuar me rivalin që ka përballë. Por, brezi aktual i futbollistëve luan në klube mjaft prestigjioze dhe duke i shtuar edhe paraqitjen në Kampionatin Europian, vlera e 24 të besuarve të Xhani de Biazit është rritur ndjeshëm.
Aktualisht, kartoni i të gjithë sportistëve që janë pjesë e përfaqësueses për ndeshjen kundër Maqedonisë kap shifrën e 47.6 milionë eurove, referuar uebsajtit “transfermarkt”. Ndërkohë, fqinjët e Maqedonisë janë shumë larg kohërave të tyre të arta, ku kishin në organikë yje të futbollit kontinental, pasi të gjithë futbollistët që ka trajneri Igor Angelovski kushtojnë në total 9.75 milionë euro, raporton Panorama Sport.
Shumë më pak sesa kartoni i Elseid Hysajt, i cili vlerësohet 13 milionë. Mbrojtësi i Napolit është edhe futbollisti që kushton më tepër te kuqezinjtë, me një diferencë të madhe nga pjesa tjetër e ekipit. Në vendin e dytë pozicionohet Taulant Xhaka (4 milionë) dhe më pas Etrit Berisha (3.5 milionë euro).
Gjithsesi, këto shifra lidhen me vlerën e kartonit, por që nuk mund të cilë- sohen si të mjaftueshme për t’i blerë nga klube respektive. Të paktën për Hysajn u përfol se u refuzuan edhe oferta prej gati 20 milionë eurosh gjatë merkatos së verës.
Ndërkohë, lojtari me kartonin më të shtrenjtë te Maqedonia është sulmuesi 24-vjeçar Ilija Nestorovski, i cili është pjesë e Palermos në Itali, me vlerën 1.5 milionë euro. Pas tij vjen Stefan Ristovski i Rijekës, me 200 mijë euro më pak. Diferenca të konsiderueshme që ndikojnë edhe për të përcaktuar favoritët për ndeshjen e datës 5 shtator, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Pas kualifikimit në EURO 2016, kuqezinjtë e De Biazit i kanë rritur ndjeshëm objektivat, duke synuar edhe një kualifikim historik në Kupën e Botës, ndonëse janë në grup me rivalë si Italia dhe Spanjë. Takimi i radhës e sheh fitoren si detyrim për Shqipërinë, edhe pse Maqedonia ka treguar një rritje të nivelit kohët e fundit…/a.m.