Asnjë mosmarrëveshje mes Edmond Haxhinastos dhe Ilir Metës, nuk qëndron pas dorëheqjes së Ministrit të Transporteve.
Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së e përjashton këtë në mënyrë kategorike.
Në intervistën për Report Tv ai i mëshon idesë se janë zgjedhjet e brenda partisë për kryetarin në fund të muajit nëntor, por edhe programi elektoral për ato të përgjithshmet që rikthyen kreun e transporteve në selinë e LSI-së.
“Këtu më lejohet që të jem kategorik, nuk ka asnjë histori të tillë. Çështje të tilla kaq madhore, natyrisht kërkojnë kualitete politike të spikatura. Haxhinasto ishte dhe është një i tillë, është njeri që është ngarkuar me programin e partisë prej kohësh. Më kujtohet pas zgjedhjeve të vitit 2013 kur u ngarkua nga LSI për rakordimet e programit me Beqajn e PS dhe në këtë funksion investon më të mirën aty ku duhet” tha Vasili.
A do të ketë lëvizje të tjera në kabinetin PS-LSI?
“Nuk mund të paragjykoj një çështje të tillë, pasi të gjitha vlerësimet i bën natyrshëm kryeministri Edi Rama. Kjo lëvizje kishte ekzigjenca të tjera politike dhe çdo gjë tjetër ka natyrshmërinë e vet’ tha ai.
LSI nuk synon të lëvizë karrigen e asnjë prej ministrave të qeverisë Rama, pavarësisht kritikave të herëpashershme që Petrit Vasili i quan sugjerime.
“Sugjerimet nuk i shikoj si kritika por si sugjerime për të mos u vetëkënaqur por për të qenë korrekt dhe të përgjegjshëm. Ne kemi sugjeruar. Ka pasur deputetë të PS që kanë kritikuar fort ministrat e LSI. Por kjo nuk ka asnjë gjë e keqe, gjithmonë janë nisur nga qëllimi i mirë.Të insistosh të përmirësohesh ti përpara sesa të shikojnë kundërshtarët e tu politikë.Një nga njerëzit që ka bërë sugjerime për përmirësime kam qenë ehe unë. Unë nuk synoj karrigen e kërkujt, absolutisht jo” tha ai.
Pas Ylli Manjanit nëntorin e kaluar, ai i Haxhinastos me Sokol Dervishin është zëvendësimi i dytë gjatë 3 viteve në qeverisjen e përbashkët Rama-Meta./ReportTV/a.m.