Njerëzimi rrezikon zhdukjen ashtu siç ndodhi me dinosaurët 65 milion vite më parë. Parashikimi vjen nga një studim i kryer nga tre universitete amerikane, ai i Stanfordit, Princetonit dhe Berkeleyt.
Ndryshe nga dinosaurët, që u zhdukën pas një meteori gjigand që goditi tokën, njerëzimi rrezikohet nga ritmet e larta të zhdukjes së biodiversitetit.
Fillimi i katastrofës, sipas shkencëtarëve amerikanë, është pakësimi tejmase i kafshëve të mëdha si ariu polar dhe elefantët.
Në studim thuhet se njeriu është një prej faktorëve të rëndësishëm në zhdukjen e qenieve të tjera të gjalla të planetit.
Sipas shkencëtarëve, numri i specieve që janë zhdukur në 100 vitet e fundit nën ndikimin negativ të njeriut, është i njëjtë me numrin e qenieve të gjalla, që në ritmet natyrore, duhej të zhdukeshin nga 800 në 10 mijë vjet.
Njeriu e ka përshpejtuar 114 herë ritmin e zhdukjes së qenieve të gjalla, përmes faktorëve të tillë, si gjuetia, shkatërrimi i habitateve apo ndikimi në ndryshimet klimatike.
Ndaj studimi paralajmëron se nëse nuk merren masa për ta parandaluar këtë, njeriun e pret i njëjti fat si dinosaurët, brenda tre brezash.