Pas miratimit në Kuvend me 88 votat e mazhorancës të ligjit të vetingut, Partia Demokratike do të mbajë të hapura mbi tryezë dy opsione, rrëzimin në Gjykatë Kushtetuese ose t’i kërkojë një opinion Komisionit të Venecias.
Për demokratët e Lulzim Bashës, vetingu i miratuar vetëm me votat e mazhorancës në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi është antikushtetues. Në tryezën e punës të Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi janë 75 amendamente të demokratëve për 7 ligjet kryesore, asnjë prej të cilave nuk është marrë parasysh. PD është e vendosur për largim të gjyqtareve të korruptuar. Sipas saj, procesi duhet të jetë ligjor dhe jo politik”, ka thënë Basha përpara deputetëve demokratë.
Ekspertët e djathtë kanë bërë një punë voluminoze duke përgatitur amendamente shtesë për një ligj brenda kushtetutshmërisë. Tri ditë më parë PD dorëzoi në Kuvend një paketë të re amendamentesh nga deputeti Arben Ristani, ku saktësohen pikat më të rëndësishme, të cilat sipas demokratëve, janë antikushtetuese e që janë diskutuar pa praninë e opozitës në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi. Për PD, ligji i vetingut në formën aktuale dhe pa vërejtjet e opozitës shkel të paktën 7 parime të Kushtetutës dhe amendamentet e saj synojnë ta vendosin procesin e vetingut në “shinat kushtetuese”.
Sipas argumentimit të opozitës, janë shtatë pika që i hapin rrugë kontrollit të qeverisë mbi organet e reja të drejtësisë, siç janë ILDKPKI apo DSIK, organet e reja të vetingut si, Komisionerët Publikë apo Kolegji i Apelimit./BW/a.m.