Që nga 1 korriku i këtij viti në Gjermani rreth 9 mijë emigrantë adoleshentë llogariten si persona të zhdukur, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke iu referuar të dhënave të Departamentit Federal për luftën kundër krimit (BKA), gazeta gjermane “Neue Osnabrucker Zeitung” njofton se që nga 1 korriku i këtij viti në Gjermani si të zhdukur figurojnë 8.991 emigrantë adoleshentë.
Që nga 1 janari i këtij viti në listën e emigrantëve adoleshentë të zhdukur në Gjermani figuronin 4.749 emra.
Në mesin e të zhdukurve, shumicën prej 8.046 të zhdukurve e përbëjnë adoleshentët e moshës 13-17 vjeç dhe rreth 900 të zhdukur të fëmijëve emigrantë i përkasin moshës nën 13 vjeç.
Zyra gjermane BKA deklaroi se nuk kanë njohuri nëse emigrantët minorenë “kanë rënë në duart e grupeve kriminale”, por se kanë njohuri se shumica e këtyre fëmijëve u përpoqën që të arrijnë tek të afërmit e tyre në qytetet tjera gjermane apo vendet tjera evropiane.
Nga Zyra kompetente në lidhje me rritjen e numrit të emigrantëve adoleshentë të zhdukur, gjithashtu njoftojnë se pjesa më e madhe e këtyre fëmijëve ka arritur tek të afërmit e tyre jashtë atyre qyteteve në të cilat janë regjistruar pas mbërritjes në Gjermani, por se familjet nuk i kanë informuar autoritetet përkatëse lidhur me këtë, dhe në disa raste janë regjistruar sikur kanë ardhur për herë të parë në vend, me çka emrat e tyre nuk janë hequr nga listat e mëparshme./a.m.