Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka përuruar rikonstruksionin e plotë të kopshtit të 17-të nga 23 gjithsej, duke shtuar kështu një tjetër hapësirë me standarde për fëmijët e Tiranës. Kopshti “Harry Potter” në Kombinat ofron kushte më të mira dhe përbën një tjetër investim të rëndësishëm për Njësinë Administrative Nr. 6. Kryebashkiaku Veliaj falenderoi kontributin e donatorëve dhe theksoi se ky kopsht është një tjetër dëshmi e kujdesit dhe e vëmendjes që Bashkia e Tiranës i ka kushtuar më të vegjëlve të qytetit.
“Shumë faleminderit të gjithëve për kontributin, falenderoj inxhinierin dhe donatorët tanë të mrekullueshëm! Ky është një tjetër projekt i nismës “Adopto një kopsht” që po e mbyllim me sukses. Ka ngelur edhe shumë pak nga hapja e sezonit të ri arsimor dhe jam shumë i lumtur që njerëzit do t’i gjejnë këto në një gjendje shumë herë më të mirë kur të kthehen nga pushimet”, tha kryetari Veliaj. Ai shtoi se edhe ky kopsht ofron tashmë të njëjtat kushte dhe cilësi si edhe ato të kopshteve të tjera në qendër të Tiranës.
“Më vjen mirë që kemi ruajtur të njëjtin standard si në Kombinat, si në Bllok, për t’u siguruar që për çdo fëmijë të Tiranës, kemi më të mirën dhe nëse “Harry Potter” merrej me magji, Bashkia e Tiranës duhet të merret me punë dhe ta kthejë me punë atë që fëmijët ëndërrojnë për magji. Shumë faleminderit të gjithë princërve e princeshave këtu në kopësht dhe ju uroj shumë sukses!”, u shpreh Veliaj. Ai garantoi edhe një herë se Bashkia është e vendosur që të mbajë premtimin që të 23 kopshtet e zonës urbane në Tiranë të jenë gati me fillimin e sezonit të ri arsimor në shtator, ndërsa ka përfunduar deri më tani 17 të tillë.
Në kopshtin “Harry Potter” është zgjidhur problemi i lagështisës së brendshme, pas ndërhyrjeve në të gjithë godinën. Janë bërë po ashtu instalimet e reja, duke ndërhyrë në pjesët e dëmtuara të suvatimeve të mureve. Janë bërë hapësira personale për ndarjen e grupeve, si dhe është ndërhyrë në sistemin elektrik, duke u riparuar rrjeti dhe është vendosur ndriçimi i jashtëm. Janë sistemuar ambientet e jashtme, duke krijuar hapësira të gjelbërta dhe rekreacioni për fëmijët, hapësira për argëtim, si dhe është sistemuar sheshi në pjesën e hyrjes, duke i dhënë zgjidhje problemit të grumbullimit të ujërave. /r.a