“Jam shumë i mbresuar që në një periudhë shumë të shkurtër janë hedhur themelet për shkollën e re. Jemi në një situatë kritike në Tiranë, për disa arsye: së pari, kemi mbi 20 shkolla me dy turne në zonën urbane, çka do të thotë se e kemi të nevojshme ndërtimin e shkollave të reja. Ndërkohë që ne përgatisim projektin e madh se si në partneritet publik-privat do të fillojmë menjëherë ndërtimin e 20 shkollave, është shumë e rëndësishme që ato financa që kemi mbledhur këtë vit, të fillojmë t’i disbursojmë në këto investime”, tha Veliaj
“Hipoteka jonë për të ardhmen nuk janë rruga, asfalti, llaç e tulla, sepse edhe po u prishën, i rregullojmë. Por, janë arsimi dhe shkollat, ndaj besoj që sot po lidhim një hipotekë jo për zgjedhjet e ardhshme, por për gjeneratën e ardhshme, që është më e rëndësishme se çdo betejë tjetër”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Paralelisht me ndërtimin e shkollës “Hoxha Tahsin”, Veliaj tha se po ndërtohet edhe një shkollë të re në Kombinat dhe një tjetër te Bregu i Lumit. Ai theksoi se, ndërsa vijon puna për ndërtimin e këtyre tre shkollave, Bashkia e Tiranës është angazhuar plotësisht që të riparojë, lyejë dhe pastrojë të gjitha shkollat ekzistuese në territorin e Tiranës, në mënyrë që të jenë gati për fillimin e vitit të ri shkollor.
“Në njësinë nr. 2 po mbarojmë me rikonstruksionin e disa shkollave, si shkolla “1 Maji”, dhe po rehabilitojmë të 200 shkollat e Tiranës, nga Shëngjergji në Bllok”, shtoi kryetari i bashkisë.
Veliaj bëri të ditur se në këtë prag fillimi të sezonit të ri shkollor, në bashkëpunim Drejtorinë Arsimore, po punohet për shmangien e shkollave me dy turne.
“Për herë të parë në Tiranë do të ketë vetëm 2 gjimnaze me dy turne: “Ismail Qemali” dhe “Sami Frashëri”. Në momentin që do të ndërtojmë shkollat e reja, brenda një viti do të sistemojmë problematikën e shkollave me dy turne. Ky mandat do të mbyllet pa pasur asnjë shkollë me dy turne në Tiranë”, u shpreh ai.
Për të shmangur mbingarkesat në disa shkolla, Veliaj u bëri thirrje prindërve që të jenë bashkëpunues dhe t’i çojnë fëmijët e tyre në shkollat më të afërta, pasi kushtet dhe cilësia e mësimdhënies është e njëjtë.
“Kemi siguruar që mësuesit e mirë të shpërndahen në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë territorin e Tiranës, jo vetëm aty ku dyndja është më e madhe. Fëmijët do të kenë mësues cilësorë në të gjitha shkollat, çka do të thotë se nëse DAR-i ju këshillon të regjistroni fëmijën tuaj në pikën më të afërt të arsimit, në shkollën më të afërt, ju lutem respektoni këtë vendim! Duke u dyndur, në vend që t’i bëjmë më të mira shkollat ekzistuese, i bëjmë më të këqija, bie cilësia, shtohen klasat, hiqet përqendrimi, bie edhe rendimenti i punës në shkolla”, tha Veliaj, ndërsa shtoi se është e pafalshme që disa shkolla janë me dy turne, ndërkohë që në disa të tjera ka vende bosh.