Prej një viti, me njërin nga botuesit e Beogradit, “Samizdat B92”, Veran Matiç, kemi folur për këtë çështje. Unë e njoh Veran Matiç prej kohësh. Ai ka qenë më herët një nga ‘kampionët’ e shoqërisë civile në Beograd në vitet 1990 dhe kam bashkëpunuar disa herë me të. Në një kohë që edhe pse mes Serbisë e Kosovës marrëveshja nuk është arritur deri në fund, por ka përmirësime; pas arritjes së marrëveshjes si ajo e Brukselit edhe pas takimeve të përvitshme mes Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçic, raportet mes Shqipërisë dhe Serbisë po normalizohen. Ndoshta ka ardhur koha që në mënyrë më sistematike të ketë një bashkëpunim kulturor të ndërsjellë. Përkthimi i veprave më kryesore, ose atyre që përbëjnë risi në të dyja vendet, duhet parë seriozisht.
Një shkas plus ka qenë edhe diskutimi i bërë nga premiera e shfaqjes teatrale “Romeo e Zhuljeta”, që është realizuar mes Prishtinës e Beogradit në dy gjuhë e që ka kushtuar 200-300 mijë euro. Në kuadër të këtyre aktiviteteve, u mendua dhe u bisedua se me aq para mund të botohen 20 libra. Kjo ka qenë ideja. Kështu lindi. Disa gjëra kanë nisur dhe në kuadër të kësaj, ata do të përkthejnë 5-6 vepra të Kadaresë. Është bërë një propozim me të cilin Kadare është pajtuar. I pari në listë e që do botohet shumë shpejt është “Pallati i ëndrrave”. Është një lloj ribotimi i rishikuar dhe i përshtatur në variantin serb të gjuhës.
– Rishikim në ç’kuptim?
Atë unë e kam pas përkthyer në vitet 1990 dhe ka dalë në Sarajevë. Tani vetëm e rishikova për ndryshime që i ka bërë Kadareja, ndërkohë ai botim ka pasur një lloj pasthënie, të cilën e kam botuar sërish pa ndryshim, sepse gjeta dhe besova se nuk ka nevojë për rishikim. Kur u botua libri dhe u shkrua pasthënia, ishte koha që Kadare iku nga Shqipëria. Ishte koha që shumë veta spekulonin se ai po përgatitej për karrierë politike. Atë kohë teza ime ishte se ai ka kërkuar azil letrar, jo azil politik. Ashtu edhe doli pak shumë.
– Është rënë dakord për titujt e tjerë të Kadaresë në serbisht?
Është rëndë dakord që do të përkthehet një përmbledhje e tregimeve të tij dhe tregimet janë përzgjedhur. Do të përkthehet mandej edhe “Muzgu i perëndive të stepës”, një roman që mua më pëlqen shumë. Edhe Kadare ishte i mendimit që mund të përkthehen. Të tjerët i kemi diskutuar, por ende nuk e kemi vendosur, sepse do të jenë për vitin tjetër. Në përgatitje është botimi me tregime, i cili del në muajin dhjetor, të cilin do e përkthej unë, e nëse s’kam kohë, do të gjej njeri të më ndihmojë.
– Kështu lindi ideja e përkthimit në serbisht të “Kurbanit” të kryeministrit Edi Rama?
Në fakt, gjatë këtyre negociatave, Veran Matiç kishte mësuar se Rama ka bërë një libër. Ai kish menduar se është ndonjë broshurë e vogël politike, ndonjë lloj platforme politike me diskursin e zakonshëm të politikanëve. Atëherë unë i shpjegova se nuk është ashtu, i thashë që është libër pak i madh dhe jo një broshurë politike e mirëfilltë. I tregova vëllimin, sa faqe është e çfarë karakteri ka dhe ca kohë hoqi dorë. Më pas, nuk e di, mbase gjeti mënyrën dhe tha do ta botojmë.
– Kush është përkthyesi?
Ata e kanë përkthyesin, është një albanolog i ri, ka përkthyer edhe vepra të tjera të autorëve nga Kosova. Më duket se në fund të gushtit ai e mbaron librin së përkthyeri. Atëherë do të botohet dhe do të promovohet diku nga mesi i tetorit. Rama në atë kohë do të jetë në Forumin e Sigurisë që mbahet në Beograd, çka dihej më herët që Rama do merrte pjesë në këtë forum, ndaj kjo vizitë do të shfrytëzohet për promovimin e librit të tij.
– Ju do ta lexoni veprën të përkthyer në serbisht para se të botohet, si redaktor i mundshëm?
Jo, nuk e besoj. Nuk kam kohë, kam obligime të tjera dhe nuk besoj që do të kem pse. Unë do të përpiqem të bëj ose një parathënie, ose një pasthënie, mbase këto dy a tri javët e ardhshme. Për “Kurbanin” kam mbajtur një fjalë në Prishtinë, kur ka qenë promovimi dhe duhet të bëj një tekst, e mbase do marr diçka nga ai prezantim.
– Po citimi juaj në median serbe, a nuk ishte pjesë e saj?
Është marrë prej ndonjë e-maili, që ka qenë pjesë e korrespondencës ku kam shpjeguar se çfarë është libri.
– Si u prit propozimi për botimin e librave në serbisht si nga Ismail Kadare edhe nga Edi Rama?
Kadare nuk ka asgjë kundra botimit. Veprat e tij janë përkthyer në ish-Jugosllavi, si në Zagreb, në Sarajevë, a në Beograd. Në Serbi ka pothuaj 30 vite që asnjë libër i tij nuk është botuar. Mbase që nga vitet 1980 nuk ka pasur botime atje. Ata kanë interes për ta përkthyer dhe madje dhe nga Kroacia më kanë kërkuar para do kohësh libra të tij për vitin e ardhshëm, por nuk e di nëse i kanë siguruar fondet a jo. Disa qarqe në Serbi duan ta botojnë dhe kjo është mirë edhe për Kadarenë. Në kuadër të këtyre bisedave politike e ekonomike, edhe kultura zë vend dhe pse të mos shfrytëzohet. Në kanale zyrtare mbase janë më pak, ndërsa në kanale jozyrtare janë edhe më shumë bashkëpunimet e mundshme.
– Një shkrimtar do natyrisht që libri i tij të botohet kudo, ky është destini i paracaktuar i asaj që shkruhet, por ndërkohë Rama, kryeministër e politikan, si e priti botimin e librit?
E priti mirë. Nuk është vetëm libri i Ramës politikan, është edhe një lloj artisti, edhe një lloj rrëfimi i Edi Ramës, vizioneve të tij, i rrugëtimit të tij nga arti në politikë, dilemat që i ka dhe rrëfimi i misionit që ka pasur për Tiranën dhe ambicies së tij që ta transformojë në një farë forme, Shqipërinë si Tiranën. Me projektin e Tiranës, fillimisht edhe shpesh, është kritikuar se thjesht i ka ‘bojatis’ ndërtesat – pra s’ka bërë punë të mëdha. Në atë kohë, para 15-16 vitesh, ka qenë një kthesë shumë kuptimplote dhe një lloj demonstrimi të mundësisë që Shqipëria ‘e shëmtuar’ jo vetëm me bojatisje, por edhe me ndërhyrje të mëvonshme, mund të bëhej më mirë. Ishte sinjal për ndryshime të mëdha. Atëkohë kam punuar në terren dhe prej aty e di se edhe demokratët thoshin se Edi Rama ka bërë punë të mirë me Tiranën, edhe pse ka kundërshtime e kritika.
Gazeta Shqiptare