Kreu i Shoqatës së Avokatëve, Saimir Vishaj, në një intervistë për gazetën “Shekulli” shprehet se reforma në drejtësi do të minimizojë korrupsionin, por kjo sipas tij, nuk do të ndodhë pas një ose dy vitesh, por për një periudhë të gjatë kohore. Sipas Vishajt, një ndër problemet më të mëdha që ka sot sistemi i drejtësisë shqiptare, fillon në shkollën e Magjistraturës me kriteret që ajo zbaton për pranimet, të cilat sipas tij duhet të ndryshohen pasi nuk u japin mundësi juristëve që kanë studiuar në universitetet më të mira perëndimore, por atyre që studiojnë në universitetet private shqiptare.
Në projektligjin e “Vetting”ut, gjyqtarët dhe prokurorët mund të japin dorëheqje, nëse nuk janë gati t’i nënshtrohen rivlerësimit dhe në fund të përfitojnë një pension të mirë. Kjo lë pa ndëshkuar shumë gjyqtarë dhe prokurorë, kur me reformën pritet e kundërta?
Për mua është e drejtë që në këto kohë që jetojmë që gjyqtarët dhe prokurorët që nuk e ndjejnë veten të pastër moralisht duhet të largohen dhe ndaj tyre duhet të ketë një amnisti në mënyrë që t’u japim mundësi sa më shpejt juristëve, të cilët kanë ardhur nga perëndimi dhe që janë të pastër moralisht dhe të aftë profesionalisht.
Po në sistemin tonë të drejtësisë, a mund të gjejmë njerëz që janë aftë t’i shërbejnë sistemit të ri që do të ngrihet apo duhet t’i sjellimnga jashtë?
Deri sa po bëhet një reformë e thellë në sistemin e drejtësisë do të thotë që ka njerëz jo të aftë profesionalisht dhe të korruptuar, por ka edhe njerëz të aftë profesionalisht dhe shumë të pastër moralisht. Në radhët e avokatisë ka njerëz shumë të aftë dhe me moral të mirë që janë të gatshëm të zëvendësojnë prokurorët dhe gjyqtarët e tanishëm në mënyrë tepër profesionale dhe të jenë sa më afër zbatimit të ligjit. Janë të shumtë avokatët në radhët tona që kanë studiuar në Kembrixh, Oksford, La Sapienza, ndërkohë që sot në sistemin e drejtësisë në Shqipëri nuk ka asnjë gjyqtar që të ketë mbaruar jashtë. Kjo është çmenduri. Kemi disa prokurorë që kanë mbaruar shkollën në Rumani dhe vende të tjera lindore, të cilët u sponsorizuan nga vetë shtetit dhe u ofruan në sistemin e Akuzës, ndërsa në sistemin gjyqësor nuk kemi gjyqtarë e juristë që kanë mbaruar në universitetet me emër në botë.
Sot kemi student që kanë mbaruar jashtë në Kembrixh, Oksford dhe sot janë avokatë, sepse ju është prerë e drejta për të kandiduar në Magjistraturë, sepse kriteri ndalues ka qenë mesatarja mbi 8. Sot në Shqipëri po ndodh çudia që të gjithë ata që kanë ardhur nga jashtë, nga universitetet e mira, japin mësim si pedagogë në universitet shqiptare dhe nuk kanë të drejtë të konkurrojnë në Magjistraturë, sepse kanë mesataren nën 8. Ndërsa studentët e tyre mund të konkurrojnë. Kjo duhet të rishikohet urgjentisht. Thuhet se sistemi do të ketë një vakuum burimesh njerëzore dhe juristësh të rinj që do të zëvendësojnë gjyqtarët dhe prokurorët që do të largohen me “Vetting”un, por unë them që kemi në rreth e avokatisë plot njerëz shumë të përgatitur dhe të pastër që mund t’i shërbejnë sistemit.
A ka diçka që mund të ishte bërë më mirë në këtë proces të mardh reformimi të sistemit të drejtësisë?
Për mua, mosha duhet të jetë kusht për të qenë gjyqtarë ose prokurorë. Nëse vazhdojmë të fusim në sistemin e akuzës dhe gjyqësorit njerëz që sapo dalin nga bankat e shkollës deri në 25 vjet, kurrë nuk kemi për t’u bërë. Mendoj që mosha dhe përvoja duhet të jetë baza për të pasur një sistem të shëndetshëm drejtësie. Në asnjë vend të botës nuk ndodh që një 25-vjeçar të bëhet gjyqtar apo prokuror. Imagjinoni një jurist, i sapo dalë nga bankat e shkollës, të japë një vendim me gjakftohtësi, një vendim i cili patjetër që do të rëndojë njërën palë, ose do të krijojë një konflikt të ri, sepse i mungon përvoja, pavarësisht se ai ka dalë nga shkollat e drejtësisë, sepse ai thjesht ka mësuar diçka dhe e riprodhon, por nuk mund ta zbatojë. Ne e kemi ngritur si shqetësim që duhet të paktën 10 vjet pas mbarimit të shkollës dhe Magjistraturës për të konkurruar.
Në vendet perëndimore të cilave ju i referoheni, mosha është kriter ligjor?
Po, ligjor. Nuk mundet pa pasur një përvojë 5 apo 10-vjeçare, sistemi i Drejtësisë, sidomos oficer i Policisë Gjyqësore apo Avokat. Nuk mundet të kalosh drejtpërsëdrejti gjyqtar në moshën 25 vjeç. Imagjinoni të jesh vendimmarrës në këtë moshë; është shumë e rëndë. Për më tepër imagjinoni një 25-vjeçar pa shtëpi, pa katandi, se ç’mund të ndodhë me të. Një përvojë në sistemin e drejtësisë do ta kalojë atë nga ajo që ne e quajmë pjesa korruptive.
Është theksuar se pagat e ulëta në sistemin e drejtësisë, kanë ndikuar në rritjen e nivelit të korrupsionit. Në ligjin e ri do të paguhen shumë më tepër se aktualisht. A duhet të paguhen shumë më tepër?
Për herë të parë, pas viteve ’90 është folur për pagat në sistemin e Drejtësisë. Pagat për gjyqtarët dhe prokurorët kanë lënë për të dëshiruar. Me një pagë 60 mijë apo 100 mijë lekë, që merr aktualisht një gjyqtar dhe prokuror i shkallës së parë dhe të dytë, imagjinoni që ata të zgjidhin një konflikt për pasuri me vlerë 1 milionë euro. Përballë shumave të tilla, një gjyqtar është i pafuqishëm, sado i ndershëm të jetë, do të sfumohet. Aktualisht rrogat që propozohen, do të përbëjnë një garanci më shumë për gjyqtarët, për më tepër për pensionet dhe pse jo dhe për familjarët; sepse ka shumë gjyqtarë të transferuar me bashkëshorte pa punë. Për mua duhet të ketë dhe një status për familjet e tyre.
Duke qenë se ju keni pasurrkontakte me të huajt që kanë punuar për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, sërish do të kemi një operacion ndërkombëtar monitorimi në procesin e vlerësimit të “Vetting”-ut…?
Për një gjë duhet të jemi të sinqertë. Ndryshimet e fundit kushtetuese do minimizojnë korrupsionin. Nuk mund të largohet korrupsioni as me një ligj, as me ndryshimet kushtetuese. Kjo kërkon kohë, sepse 25 vite, të cilat sollën korrupsion në sistemin e drejtësisë, nuk mund të rregullohen me një ligj të shpejtë, as për 1 vit as për 2 vjet. Korrupsion ka dhe në botë, në Gjermani apo Amerikë, por kurrë nuk ka një përvojë botërore që të blihet e drejta me pará, si në Shqipëri. Sot gjyqtari dhe prokurori, duhet të përballen me qytetarin, teksa në duar duhet të mbajnë provën. Nëse një qytetar që i drejtohet drejtësisë ka provën në dorë, ai duhet ta fitojë gjyqin patjetër. Ai që nuk ka provë; ai që nuk di të mbrojë argumentin e tij do humbasë, edhe pse mund të ketë grushte me para. Kjo do të sjellë ndryshime në mentalitet dhe në zbatimin e ligjit. Në qoftë se nuk ndryshon mentaliteti, në qoftë se nuk kemi vullnet të studentëve, të cilët frekuentojnë Juridikun, nuk mund të ketë sistem.
Së fundi është hapur një debat edhe për rolin dhe efektivitetin e të huajve në Shqipëri, me argumentet nëse kanë dështuar ose jo. Ju vetë si e shihni rolin e tyre në këtë aspekt?
Unë kam disa sugjerime nga miqtë e mi në Kosovë, të cilët thonë se prania e të huajve ka sjellë dështim. Por, gjendja ku është katandisur sot sistemi, roli i të huajve është i domosdoshëm, por ai nuk duhet të jetë vendimmarrës. Duhet të jetë konsultativ. Ajo që vlen të përmendet, në qoftë se ne ndërtojmë një Gjykatë të Lartë të fuqishme, atëherë detyrimisht shkalla e parë dhe e dytë duhet të jetë e fortë. Në qoftë se Gjykata e Lartë do të jetë e dobët, imagjinoni se çfarë do të ndodhë në shkallën e parë dhe të dytë, edhe pse atje mund të jenë njerëzit më të aftë.
Norman: Politika shqiptare të bashkohet për interesat kombëtare
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Duncan Norman deklaroi të enjten për mediat se e ka studiuar skenën politike në Shqipëri ku mendon se “palët politike duhet të bëhen bashkë për interesat kombëtare”. Ambasadori britanik u ndal tek reforma në drejtësi, që sipas tij, do të sjell ndryshime të rëndësishme. “Ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi janë të rëndësishme”, tha ai. “Ndryshimet kushtetuese që u miratuan pak javë më pare janë shumë të rëndësishme, por akoma më i rëndësishëm është plotësimi i kuadrit ligjor dhe zbatimi i saj sa më shpejt. Politika shqiptare, me aq sa e kam studiuar është konfliktuale, por ka momente, kur për hir të interesave kombëtare politikanët duhet të bëhen bashkë, si për ndryshimet kushtetuese.
Janë 5 kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë për t’u hapur negociatat, reforma në drejtësi ishte ndër më kryesoret. Rekomandimi i komisionit europian në javët e ardhshme do të bazohet në progresin e bërë në të 5 fushat. Sigurisht do të na duhet të shohim dhe plotësimin e reformës në drejtësi dhe zbatimin e saj”, tha në konferencë për shtyp diplomati britanik. Duke folur për BREXIT, ambasadori Norman tha se “jemi larguar nga BE-ja, por jo nga Europa”. Sa i përket marrëdhënieve mes dy vendeve, ambasadori britanik vlerësoi se “marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve mbeten të forta. Do të bashkëpunojmë me qeverinë shqiptare në luftën kundër ekstremizmit dhe luftën kundër krimit të organizuar”.
PD konteston rolin e ILDKPKI-së dhe të DSIK-së
Në një kohë kur seanca për votimin e ligjit të “Vetting”-ut është përcaktuar më 30 gusht, Partia Demokratike po përgatit gati dy skemat e saja. E para është ajo e paraqitjes së amendamenteve në seancë për këtë projektligj që do të realizojë verifikimin e pastërtisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Skema e dytë lidhet me dërgimin e ligjit, nëse ai miratohet vetëm nga maxhoranca, për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar si antikushtetues.
Sipas burimeve pranë selisë blu, roli aktiv në këtë proces i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe të Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), si dhe Drejtorisë së Sigurisë Informacionit të Klasifikuar (DSIK), është në kundërshtim me Kushtetutën e re. Gjithashtu demokratët pretendojnë se nuk janë detajuar dhe procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të komisioneve që do të kryejnë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Ndërsa saktësojnë se mjaft dispozita të miratuara nga komisioni i posaçëm parlamentar që lidhen me rivlerësimin e magjistratëve bien ndesh me konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, duke pasur rrezikun e një procesi selektiv.
Ish-kryeprokurorja Rama, Berberi dhe Ibrahimi janë kandidatë për në Gjykatën e Strasburgut
Ish-kryeprokurorja Ina Rama, anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Sokol Berberi dhe juristi Gent Ibrahimi janë përzgjedhur si kandidatë për t’u zgjedhur gjyqtar i Shqipërisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut për shkak të mbarimit të mandatit të gjyqtarit aktual, Ledi Bianku. Zgjedhja do të bëhet me votim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në tetor të këtij viti. Pasi Këshilli i Europës i kërkoi Qeverisë shqiptare paraqitjen e listës me tri kandidatura, u bë edhe thirrja për aplikim, të cilës iu përgjigjen 11 emra. Sipas burimeve të Top Channel, pavarësisht emrave të njohur në Komision dhe në përzgjedhje, Qeveria duket se ka vendosur t’i rrijë larg procesit. Komisioni përzgjedhës përbëhet nga Luan Omari, Kristaq Traja, Bashkim Dedja, Artan Hoxha dhe Artur Metani. Komisioni përzgjedhës thirri kandidatët në një fazë të dytë dhe vetëm 6 prej tyre janë paraqitur.
Për shkak të hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese, komisioni, veç kërkesave të legjislacionit aktual, u kërkoi kandidatëve që vazhduan garën edhe vërtetimin e dorëzimit të formularit të vetdeklarimit për garantimin e integritetit, si dhe kërkoi nga ILDKPKI-së informacion mbi verifikimin e deklarimit të pasurisë. Në përfundim nuk u skualifikua asnjë nga kandidatët, por për arsye ligjore, komisioni adhoc propozoi listën me tre kandidatë, Sokol Berberi, Gent Ibrahimi dhe Ina Rama. Në fazën e parë dhe të dytë kishte shprehur interes dhe kishte aplikuar për këtë post edhe Xhezair Zaganjori, aktualisht kryetar i Gjykatës së Lartë. Ai ka kërkuar të lerë detyrën duke u përzgjedhur anëtar i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Kandidatë të tjerë ishin Altina Xhoxhaj anëtare e Gjykatës Kushtetuese; Dariel Sina, konstitucionalist; Elira Kokona, sekretare e Përgjithshme e Ministrinë e Kulturës; Plarent Ndreca, sekretar i Përgjithshme e Ministrisë së Arsimit; Ledia Mirakaj, Drejtore në Ministrinë e Kulturës; Sokol Puto, avokat dhe Ornela Rrumbullaku, prokurore. Ina Rama ka qenë prokurore e Përgjithshme nga 2007-2012. Gjatë kohës qëndroi në detyrë u detyrua të përballej me akuzat e kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, sa i përket katër vrasjeve të protestuesve të opozitës përpara Kryeministrisë më 21 janar 2011. Ndërsa Sokol Berberi, aktualisht është anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe është në përfundim të mandatit të tij. Ndërsa Gent Ibrahimi është një ekspert i fushës së jurisprudencës. Ai ka qenë i angazhuar në grupin e ekspertëve shqiptarë për reformën në drejtësi.
ma.me