Persona ende të paidentifikuar i kanë vendosur një sasi lëndë plasëse një automjeti. Burime nga Policia e Tiranës bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:05 të mëngjesit të sotëm në rrugën ‘Kongresi i Manastirit’.
Nga shpërthimi ka pasur dëme të vogla materiale. Mësohet se lënda plasëse është vënë në mjetin autobus tip “Setra”me targa AA 940 CG, në pronësi të Edmond Rexhepit, ndërsa nuk dihen ende motivet e kësaj ngjarje.
Mësohet se autobusi përdorej për shërbime funerale nga dy vëllezërit Rexhepi, ndërsa lënda plasëse ishe vendosur në njërën nga rrotat e pasme.
Burime policore për News24 pohojnë se eksplozivi ka qenë me fitil dhe nga shpërthimi janë dëmtuar xhamat e një shtëpie përballe. Sakaq, policia ka sekuestruar kamerat e disa bizneseve aty pranë, ndërsa nga errësira duket vetëm hija e një njeriu me kapele. Ndërkaq, policia ka shoqëruar një person si të dyshuar, që është banor i lagjes.
“Më datë 25.08.2016, rreth orës 04:05, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, në mjetin autobus tip “Setra”, në pronësi të shtetasit E. R., persona të pa identifikuar kanë vendosur një sasi me lëndë plasëse e cila ka shpërthyer duke shkaktuar dëme të vogla materiale. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.”, citohet në njoftimin e Policisë.
Sakaq, vijojnë hetimet për këtë ngjarje.