Qeveria e Kosovës, përmes një njoftimi për media, dënon ashpër sulmin me mjet shpërthyes ndaj Radio Televizionit të Kosovës (RTK), të kryer mbrëmë në rrethana ende të pasqaruara.
Në një njoftim për shtyp të kryeministrisë, thuhet se “qeveria e Kosovës konsideron se ky është sulm ndaj fjalës së lirë dhe ndaj të gjitha mediave në Kosovë.Ftojmë organet kompetente shtetërore që të zbardhin këtë rast dhe të vënë para drejtësisë kryesit dhe nxitësit e këtij akti”.
“Qeveria e Kosovës i bën thirrje të gjithë përfaqësuesve dhe subjekteve politike që në diskursin e tyre publik të mos etiketojnë, sulmojnë dhe lançojnë mediat publike dhe private, në funksion të respektimit dhe të mbrojtjes së fjalës së lirë”, theksohet në njoftimin e qeverisë.
Radio Televizioni i Kosovës u sulmua mbrëmë me granatë dore rreth 22:00, saktësisht vendin ku janë të vendosur transmetuesit e valëve dhe gjeneratorët.
Sumi ndaj RTK-së u dënua edhe nga Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili thekson se “hedhja e mjetit shpërthyes mbi Radio Televizionin e Kosovës, përbën një veprim kriminal që në vazhdën e veprimeve të ngjashme të kohëve të fundit, synon të cënojë rendin publik, sigurinë e qytetarëve dhe zyrtarëve të institucioneve publike”.
“Ne jemi shtet demokratik dhe nuk mund të lejojmë asnjëherë që dhuna dhe metodat e frikësimit të ndikojnë në lirinë e mediave, axhendën shtetërore dhe debatin politik”, shprehet Veseli në rrjetin social Facebook. /KosovaPress/ r.a