Pas pushimit të së shtunës, dje Partizani u është kthyer përgatitjeve në terren, ku është kryer seanca e parë stërvitore për ndeshjen e kthimit të turit “play off” të Ligës së Europës me Krasnodarin. Ky takim do të luhet më 25 gusht, ora 19:30, në stadiumin “Elbasan Arena”.
Përgatitja e djeshme e të kuqve që u zhvillua pasdite në kompleksin “Tirana Internacional”, në Pezë, ka dhuruar edhe një moment ankthi te të kuqtë, pasi përgatitësi atletik Korado Sakone ka pësuar një gjendje të fikti duke rënë në fushë. Mësohet se përgatitësi Sakone ka pësuar një luhatje tensioni, e cila ka shkaktuar debulesë te zv.trajneri.
Pas ndihmës së parë që mori në fushë, Sakone u dërgua në spital për ekzaminime më të hollësishme. Mjeku i skuadrës, Dhimosten Gjini, për “Panorama Sport” tregon çfarë ndodhi me trajnerin italian dhe si u veprua më pas. Fatmirësisht, gjendja e tij paraqitet e stabilizuar pas ndihmës së specializuar.
“Në përfundim të seancës stërvitore, përgatitësi atletik i ekipit, Korado Sakone, ka pësuar një gjendje të fikti ose pafuqie. Menjëherë pranë tij është ndodhur stafi mjekësor dhe pjesëtarë të skuadrës dhe fillimisht e kemi shtrirë në tokë dhe i kemi dhënë ndihmën e parë. Pas kësaj ndërhyrjeje, gjendja e tij u përmirësua dhe u pa se ai kishte pësuar një ulje tensioni.
Pas terapisë në fushë gjendja e tij u përmirësua duke mos paraqitur rrezik. Megjithatë, për të qenë të sigurt, ne e transportuam në spital për ta pasur në mbikëqyrje dhe për të bërë ekzaminimet e duhura. Për të shmangur çdolloj pasoje, e pamë të udhës që të paraqiteshim në spital në mënyrë që të bënim një bilanc të parametrave klinikobiologjik.
Gjendja e trajnerit është e stabilizuar dhe e mirë kështu që nuk ka asnjë problem”, u shpreh për “Panorama Sport” mjeku i skuadrës së Partizanit, Dhimosten Gjini.
Stërvitja
Partizani e ka thuajse të pamundur që ta kthejë disavantazhin 4-0 ndaj Krasnodarit, gjithsesi të kuqtë kanë nisur punën për ta mbyllur sa më mirë aventurën europiane për këtë sezon. Trajneri Sormani nuk e ka pasur të plotë grupin, pasi Renaldo Kalari dhe Agustin Torasa janë përgatitur të diferencuar nga grupi.
Kalari vjen nga dëmtimi që pësoi në miqësoren me Kamzën, ndërsa argjentinasi ka një kontraktim të lehtë, për shkak të goditjeve që mori gjatë ndeshjes në Rusi. Mësohet se të dy lojtarët nuk rrezikojnë, kështu që priten të jenë të gatshëm për trajnerin Sormani për sfidën e së enjtes.
Ekipi ka nisur sot përgatitjet në kuadër të ballafaqimit të kthimit ndaj rusëve të Krasnodar, i vlefshëm për raundin “play-off” të Europa League. Seanca e djeshme ka qenë kryesisht e karakterit tekniko-taktik, e cila i ka shërbyer stafit për të testuar gjendjen e skuadrës pas takimit të zhvilluar në Rusi./ panorama/a.k